VLEN merr dy poste të tjera të zëvendësministrave: Priten rokada në eshallonin e dytë qeveritar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN pritet të marrë pozicionet e zëvendësministrave në dikasteret e Shëndetësisë dhe të Politikës Sociale, pas bisedimeve dhe marrëveshjes së arritur me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Burime nga koalicioni konfirmojnë se propozimet konkrete me emrat e kandidatëve i janë dorëzuar tashmë kryeministrit për konfirmim përfundimtar, raporton INA, transmeton Zhurnal.

Ndryshimet në eshallonin e dytë vijnë si rrjedhojë e riorganizimit të kabinetit qeveritar në korrik, gjatë të cilit VLEN mbeti pa drejtimin e këtyre dy ministrive. Argumenti kryesor i koalicionit është ruajtja e balancit politik brenda partnerëve të pushtetit.
Për të marrë këto dy poste pa ndryshuar peshën e përgjithshme në qeveri, VLEN do të duhet të heqë dorë nga dy pozita të tjera zëvendësministrash.

Është pothuajse e sigurt se koalicioni do të lirojë postin e zëvendësministrit në Bujqësi (ku ministri është nga lëvizja ZNAM), vend i cili pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së.

Po ashtu do lirohet edhe posti i zëvendësministrit të Kulturës, që pritet t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM, pasi ministri aktual i Kulturës është nga radhët e VLEN-it.

Kjo parti gjithashtu pret të marrë edhe një tjetër post zëvendësministri, përveç atyre që ka në Energjetikë dhe Transformim Digjital.
Kryeministri Mickoski ka paralajmëruar se kompletimi dhe rokadat në eshallonin e dytë qeveritar do të përmbyllen brenda gjysmës së dytë të tetorit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër