Shkup, 8 tetor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm” për gjuhën shqipe dhe sigurinë juridike në vend.
Në reagimin e BDI-së thuhet se Gjykata Kushtetuese, në vend që të shqyrtonte çështjen e publikimit të një rregulloreje vetëm në gjuhën maqedonase në dritën e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për publikimin e akteve edhe në gjuhën shqipe, e ka trajtuar çështjen nga aspekti material i aktit.
Sipas BDI-së, problemi qëndron në faktin se kushtetutshmëria nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e një akti, por edhe me procedurën, formën dhe respektimin e rregullave kushtetuese gjatë miratimit dhe hyrjes së tij në fuqi.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, në praktikën e saj, ka vlerësuar çështje të tilla, ndërsa dje u ngrit kundër vetvetes, duke shkelur çdo normë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI shtron edhe pyetjen se çfarë vlere kanë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve, nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të shqyrtohet në kuadër të kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë formale.
BDI vlerëson se çështja nuk lidhet vetëm me një rregullore, por me statusin e gjuhës shqipe, rendin juridik dhe sigurinë juridike të qytetarëve.
“Nëse një akt mund të publikohet vetëm në maqedonisht dhe kjo të mos ketë relevancë për kontrollin kushtetues, çfarë e garanton që nesër i njëjti standard të mos zbatohet edhe për akte të tjera?”, pyet partia.
Në reagim, BDI thekson se gjuha shqipe “nuk është dekor kushtetues”, por pjesë e rendit kushtetues.
“Prandaj, ajo që ndodhi dje nuk duhet të normalizohet dhe as të relativizohet. Nuk është vetëm çështje e një rregulloreje. Është çështje se a vlejnë njësoj Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike për të gjithë”, thuhet më tej në reagim.
