Tetovë, 8 tetor, Zhurnal.mk – Universiteti i Tetovës ka shënuar një tjetër sukses në fushën e kërkimit shkencor. Prof. Dr. Kimet Jusufi nga Departamenti i Fizikës është përfshirë në listën vjetore “Top 2% Scientists 2026”, e cila përfshin studiuesit me ndikimin më të lartë në komunitetin shkencor botëror, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas Universitetit të Tetovës, në këtë renditje Prof. Dr. Jusufi është pozicionuar i pari ndër studiuesit nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në listë.
Renditja bazohet në tregues bibliometrikë që matin ndikimin e publikimeve dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore të studiuesve. Universiteti i Tetovës vlerëson se përfshirja e Jusufit në këtë listë dëshmon për jehonën dhe ndikimin e punës së tij në komunitetin shkencor ndërkombëtar.
Për Universitetin e Tetovës, kjo arritje përbën një vlerësim të rëndësishëm dhe një dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm ndaj kërkimit shkencor, ekselencës akademike dhe afirmimit ndërkombëtar të veprimtarisë shkencore.
“Ky sukses është edhe burim krenarie dhe frymëzimi për studentët, studiuesit dhe brezat e rinj akademikë, sepse dëshmon se puna cilësore mund të arrijë nivele të larta të vlerësimit në arenën shkencore ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Tetovës.
Universiteti e ka përgëzuar Prof. Dr. Kimet Jusufin për këtë arritje dhe për kontributin e tij në zhvillimin dhe afirmimin e shkencës, duke theksuar edhe rolin e tij në rritjen e prestigjit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës.
Sipas burimit të cituar nga universiteti, TOPSCINET, renditja është bazuar në të dhënat e Elsevier Data Repository.
