Sofje, 8 tetor, Zhurnal.mk – “Sot jemi këtu për të punuar për lidhje më të mira për njerëzit e së nesërmes”, deklaroi komisarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas mbërritjes së saj në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Korridorin 8, që po mbahet në Sofje, transmeton Zhurnal.mk.
Kos theksoi rëndësinë strategjike të Bullgarisë dhe të Ballkanit Perëndimor për ndërlidhjen e rajonit me Evropën.
“Bullgaria është portë drejt Evropës për rajonin e Detit të Zi, si dhe për Turqinë, ndërsa Ballkani Perëndimor luan një rol shumë të rëndësishëm në ndërlidhje”, tha Kos.
Ajo bëri të ditur se në rajon aktualisht po zbatohen më shumë se 130 projekte, përfshirë projekte për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave të reja, si dhe për përmirësimin e pikave kufitare.
Megjithatë, sipas komisares evropiane, vizioni i saj për zgjerimin e Bashkimit Evropian shkon shumë më larg.
“Por vizioni im si komisare për Zgjerim shkon shumë më larg. Vizioni im është që një ditë i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës sonë”, deklaroi Kos.
Sipas saj, në një të ardhme të tillë, pikat kufitare dhe lidhjet e transportit për të cilat po diskutohet sot nuk do të kenë më të njëjtin kuptim.
“Sepse do të jemi një Evropë”, theksoi ajo.
“Një Evropë që punon së bashku – ky është vizioni për të cilin po punojmë në Bruksel, këtu në Sofje, në Ballkanin Perëndimor dhe, natyrisht, në vendet anëtare”, shtoi komisarja evropiane.
Konferenca në Sofje i kushtohet zhvillimit dhe rëndësisë strategjike të Korridorit 8, i cili synon përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore dhe transportuese ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
