Sofje, 8 tetor, Zhurnal.mk – Bullgaria ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut një afat konkret për zbatimin e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Kërkesa është bërë gjatë takimit në Sofje ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe homologes së tij bullgare, Velislava Petrova.
Sipas palës bullgare, Petrova ka kërkuar të dijë se kur Shkupi planifikon të zbatojë detyrimet e përcaktuara në marrëveshjen evropiane të vitit 2022, ku përfshihet edhe ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve si pjesë e komuniteteve etnike.
Petrova ka përsëritur mbështetjen e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por ka theksuar se përparimi i vendit drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë i lidhur me përmbushjen e detyrimeve të marra.
Në takim është diskutuar edhe rasti i Iva Mihajlovës, për të cilën autoritetet bullgare kërkojnë mundësimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Dy ministrat janë pajtuar që komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
