Bruksel, 09 tetor, Zhurnal.mk – NATO do të nisë javën e ardhshme manovrat e saj vjetore të mbrojtjes bërthamore “Steadfast Noon”, me pjesëmarrjen e trupave nga 17 vende anëtare të aleancës.
Italia do të jetë vendi pritës i manovrave, që nisin të martën dhe do të zgjasin rreth një javë e gjysmë.
Sipas NATO-s, përmasat e saj pritet të jenë të ngjashme me ato të vitit të kaluar, kur morën pjesë rreth 2 000 efektivë dhe më shumë se 70 avionë.
NATO theksoi se në këto manovra nuk do të përdoren armë të vërteta bërthamore.
Qëllimi është të demonstrohet gatishmëria dhe aftësia e aleancës për të mbrojtur territorin e saj dhe për të garantuar një parandalim bërthamor të sigurt, të besueshëm dhe funksional.
Sipas aleancës, manovrat nuk lidhen me ngjarje të caktuara aktuale dhe nuk synojnë ndonjë shtet specifik.
Megjithatë, Rusia mbetet një nga faktorët kryesorë në vlerësimet e kërcënimeve të NATO-s.
Në kuadër të marrëveshjeve të ndarjes së përgjegjësive bërthamore, armët bërthamore amerikane ”B61”, të vendosura në Evropë, mund të transportohen në rast emergjence nga avionë të vendeve aleate pjesëmarrëse.
Shtetet e Bashkuara besohet se mbajnë armë të tilla në disa baza evropiane, përfshirë në veri të Italisë, Belgjikë, Holandë dhe në bazën Büchel në Gjermani.
Vendndodhjet e sakta nuk janë bërë zyrtarisht publike.
NATO nuk ka bërë të ditur skenarin konkret.
Ekspertët ushtarakë thonë se këto ushtrime, të zhvilluara rregullisht në muajin tetor, përfshijnë trajnime për transportin e sigurt të armëve nga objektet e magazinimit drejt avionëve dhe përgatitjen e tyre për përdorim.
