Berisha: Betejë ligjore kundër shkrirjes së 15 bashkive, po mbledhim firmat për referendum

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas miratimit të reformës territoriale, teksa theksoi se mazhoranca ka vepruar kundër interesave të qytetarëve dhe komuniteteve vendore.

Berisha e cilësoi votimin si një akt kundër qytetarëve të 15 bashkive dhe shtoi se deputetët e mazhorancës janë përballur me presione dhe shantazhe.

“Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre.

“Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre. Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive”, tha ai.

Berisha tha se reforma territoriale është një nga reformat më të rëndësishme për vendin, pasi lidhet drejtpërdrejt me qeverisjen vendore, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjen e identitetit të komuniteteve.

Sipas tij, PD u angazhua në procesin e reformës territoriale dhe propozoi një model me të paktën 100 bashki në të gjithë vendin, por mazhoranca u tërhoq nga konsultimet.

“Ky është një parlament krimi, që nuk meriton të ekzistojë asnjë orë, asnjë ditë. Nuk bëhet fjalë për nder dhe dinjitet, por pa asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, personale dhe familjarëve natyrisht”, tha ai.

Berisha theksoi se PD do vazhdojë çdo betejë ligjore kundër ekzekutimit të 15 bashkive dhe se po mbledhim firmat për referendum.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt, PD deklaron se do vazhdojë çdo betejë ligjore kundër ekzekutimit të 15 bashkive dhe për projektin e saj 100 bashki plus. Në këtë kuadër, ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum. Do të studiojmë të gjitha modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, me të cilat ne kemi bindjen më të thellë se mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, nga një organizatë kriminale që quhet parlament”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër