Prishtinë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në Forumin Ekonomik të Stambollit, të mbajtur më 8-9 tetor 2026, në selinë e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, me ftesë të Guvernatorit të saj.
Guvernatori Ismaili diskutoi në panelin “Stabiliteti Financiar dhe Rregullimi”, të moderuar nga z. Yusuf Emre Akgündüz, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Sirisë. Diskutimet u përqendruan në stabilitetin financiar, rreziqet financiare ndërkufitare, institucionet financiare jobankare, ndërlidhjen ndërmjet sektorit fiskal dhe atij financiar, si dhe rëndësinë e rregullimit proporcional në mbështetje të rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Gjatë diskutimit, Guvernatori Ismaili prezantoi ecurinë pozitive ekonomike të Kosovës dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar. Ai theksoi rritjen reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.6 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, të mbështetur nga rritja e eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte, si dhe nivelin e favorshëm të borxhit publik prej 16.1 për qind të BPV-së.
Guvernatori i BQK-së theksoi se sektori bankar i Kosovës mbetet stabil, i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, me normë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.4 për qind, normë të mbulimit me likuiditet prej rreth 294 për qind dhe normë të kredive joperformuese prej 2.0 për qind, ndër më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor.
Duke trajtuar rreziqet financiare të jashtme, Guvernatori Ismaili shpjegoi mënyrën se si BQK-ja përfshin goditjet e mundshme dhe zhvillimet e jashtme në kuadrin e saj të stres-testimit makrofinanciar. Ai gjithashtu theksoi masat mbrojtëse mbikëqyrëse që zbatohen ndaj bankave në pronësi të huaj, përfshirë kërkesat për kapital dhe likuiditet në nivel vendor, kufizimet ndaj ekspozimeve me palët e ndërlidhura dhe bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të origjinës.
Sa i përket zgjerimit të sektorit financiar jobankar, Guvernatori theksoi rëndësinë e forcimit të monitorimit të rreziqeve në nivel të sistemit financiar, përmirësimit të informacionit kreditor dhe zbatimit të kërkesave rregullative proporcionale, bazuar në parimin “aktivitet i njëjtë, rrezik i njëjtë, rregulla të njëjta”. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e monitorimit të ndërlidhjeve ndërmjet sektorit sovran dhe atij financiar, veçanërisht në kontekstin e ekonomisë së euroizuar të Kosovës.
Guvernatori Ismaili riafirmoi përkushtimin e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar, duke avancuar njëkohësisht përafrimin gradual të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse të Kosovës me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Bazelit. Ai theksoi progresin në zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik përmes Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), krahas përgatitjeve për aplikimin e kornizave evropiane të raportimit mbikëqyrës FINREP dhe COREP.
Forumi Ekonomik i Stambollit mblodhi guvernatorë të bankave qendrore, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. Në margjina të Forumit, Guvernatori Ismaili zhvilloi takime dypalëshe dhe shkëmbeu pikëpamje me homologë dhe përfaqësues të lartë nga Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Banka e Francës (Banque de France), Banka Qendrore e Holandës (De Nederlandsche Bank), Banka Qendrore e Arabisë Saudite, Banka e Greqisë, Banka Kombëtare e Hungarisë (Magyar Nemzeti Bank), Banka e Anglisë, Sistemi i Rezervës Federale të SHBA-së, Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) dhe Banka Botërore. Këto angazhime krijuan mundësi për forcimin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e dialogut mbi stabilitetin financiar, zhvillimet rregullative dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
