Prishtinë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit, ndërsa ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se këto zhvillime dëshmojnë potencialin e kompanive kosovare të teknologjisë, të cilat po zhvillojnë dhe ofrojnë zgjidhje për tregun ndërkombëtar.
Ai ka bërë të ditur se një natë para hapjes së edicionit të 15-të të konferencës KosICT, që mbahet sot dhe nesër, ka marrë pjesë në pritjen tradicionale të organizuar në prag të kësaj ngjarjeje, ku ishin të pranishëm përfaqësues të STIKK-ut, komunitetit të teknologjisë së informacionit, ndërmarrës dhe partnerë ndërkombëtarë.
Sipas Kurtit, KosICT është shndërruar në një vendtakim për ide, talent, inovacion dhe partneritete, duke lidhur Kosovën me botën.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se institucionet janë të përkushtuara të vazhdojnë investimet në infrastrukturën digjitale, modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e edukimit digjital, me synimin për të krijuar kushte më të mira për inovacion dhe ndërmarrësi.
“Po punojmë që potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës ta kthejmë në zhvillim për shtetin dhe mirëqenie për qytetarët”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar se talenti, kreativiteti dhe vendosmëria e njerëzve janë ndër asetet kryesore të Kosovës për zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe rritjen e pranisë së tij në tregjet ndërkombëtare.
