Shkup, 13 tetor – Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet ndër vendet ku mbeturinat nuk përpunohen siç duhet. Nëse në të gjitha vendet, mbeturinat riciklohen, klasifikohen, digjen në mënyrë të kontrolluar dhe shfrytëzohen për të nxjerrë energji, në vendin tonë mbeturinat ose groposen ose digjen. Ata që digjen e ndotin ajrin, kurse ato që groposen e ndotin tokën. Europa ka dhënë disa herë vërejtje për këto dukuri, por ende nuk ka vesh për këtë. Prandaj, është momenti i fundit që Maqedonia e Veriut të mendojë seriozisht për zgjidhje urgjente, ndryshe do të mbetemi ndër vendet më të papastërta në europë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Shembulli më i keq vjen nga Kumanova
“Zhurnal.mk”, disa herë ka shkruar se menaxhimi me mbeturina në qytetin e Kumanovës është shumë i keq dhe pothuajse mbeturinat digjen pa asnjë kriter. Deponia “Krasta” është bërë kohët e fundit shkak i një krize ekologjike, pezullimit të mbledhjes së mbeturinave dhe pakënaqësisë së popullsisë vendase.
Banorët e fshatrave Pçinjë dhe Studena Bara të Kumanovës e hoqën bllokadën e deponisë së Krastës më 12 tetor, pasi zjarri u shua dhe një pjesë e mbeturinave u mbulua me dhe. Marrëveshja lejon ri-asgjësimin e mbeturinave komunale nga Kumanova.
Por kësaj i paraprinë ditë të mbushura me zjarre në deponi, frikë nga ndotja dhe probleme me mbledhjen e rregullt të mbeturinave në qytet.
Situata u bë aq serioze sa autoritetet e Kumanovës njoftuan një devijim të përkohshëm të mbeturinave në deponinë e Drislës në Shkup. Në vend të një zgjidhjeje të përhershme, qyteti duhej të kërkonte një zgjidhje të menjëhershme për të parandaluar grumbullimin e sasive shtesë të mbeturinave.
Komuna e Kumanovës, aktivitetet e rehabilitimit do të vazhdojnë dhe janë planifikuar mbikëqyrje shtesë, siguri fizike dhe masa për të parandaluar zjarre të reja.
Bashkimi Evropian nuk lejon më djegien e mbeturinave!
Direktiva Evropiane për Deponitë përcakton një qëllim të qartë: deri në vitin 2035, shtetet anëtare duhet të zvogëlojnë deponimin e mbeturinave komunale në një maksimum prej 10 përqind të sasisë totale të gjeneruar. Nga viti 2030, parashikohen kufizime edhe për deponimin e mbeturinave që mund të riciklohen ose të përdoren në mënyrë të dobishme.
Kjo do të thotë braktisje graduale e modelit në të cilin shumica e mbeturinave përfundojnë në një vend, pa përzgjedhje paraprake dhe me rrezikun e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit.
Megjithatë, në Maqedoni, pyetja shpesh nuk është se sa mbeturina do të riciklohen, por ku do të hidhen mbeturinat kur deponia të mbyllet ose të bllokohet.
Menaxhimi joadekuat i mbeturinave mbart rreziqe për ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësore, emetimet e gazrave dhe zjarret, veçanërisht kur nuk ka infrastrukturë të përshtatshme për të kontrolluar gazin e deponive, rrjedhjet dhe llojet e mbeturinave të pranuara.
Prandaj, rregullat evropiane nuk kufizohen vetëm në vendin ku hidhen mbeturinat. Ato parashikojnë kontrollin e pranimit të tyre, standardet teknike për deponitë, lejet e operimit, monitorimin dhe detyrimet për mbrojtjen e mjedisit edhe pas mbylljes së tyre.
BE-ja disa herë ka paralajmëruar se nuk funksionojmë siç duhet
Në raportin e tij të vitit 2025 për Maqedoninë, Komisioni Evropian vlerësoi se zbatimi i politikave të menaxhimit të mbetjeve mbetet një sfidë serioze.
Sistemet rajonale të menaxhimit të mbetjeve nuk po funksionojnë siç është parashikuar, kompanitë e shërbimeve publike po përballen me joefikasitet dhe krijimi i infrastrukturës moderne rajonale vonohet vazhdimisht.
Komisioni theksoi veçanërisht mungesën e progresit konkret në rajonet Verilindore dhe Lindore, pavarësisht mbështetjes financiare të ofruar.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, sasia e mbeturinave komunale të gjeneruara në Maqedoni është rritur me 21.6 përqind midis viteve 2010 dhe 2023.
Në të njëjtën kohë, deponia mbetet mënyra mbizotëruese e trajtimit të mbeturinave, ndërsa kapacitetet e riciklimit dhe kompostimit janë të kufizuara, shkruan “Zhurnal.mk”.
Duhet zgjidhje urgjente për mbeturinat
Objektivi evropian për vitin 2035 nuk është thjesht një numër i shkruar në një direktivë. Ai përfaqëson një qasje të ndryshme ndaj mbeturinave – nga gjenerimi dhe përzgjedhja e tyre, deri te riciklimi dhe asgjësimi i sigurt i asaj që nuk mund të përdoret realisht.
Për Maqedoninë e Veriut, sfida është më e madhe. Përpara se të mund t’i afrohet standardeve të tilla, ajo duhet të ndërtojë një sistem funksional në të cilin deponitë nuk do të jenë burime të vazhdueshme zjarresh, ndotjeje dhe konfliktesh me popullsinë lokale.
Prodhuesit dhe importuesit kanë detyrim ligjor të organizojnë ose të financojnë sistemin e grumbullimit, përzgjedhjes dhe riciklimi të ambalazheve dhe produkteve që hedhin në treg. Ata zakonisht kontraktojnë operatorë kolektivë të autorizuar për të menaxhuar rrjedhat e veçanta të mbeturinave.
Kërkohet ndarja e mbeturinave në burim (shtëpi, biznese) për të shmangur nivelin e lartë të mbeturinave të përzjera (të cilat në Maqedoninë e Veriut përbëjnë mbi 85% të totalit të grumbulluar).
Gjithashtu, janë të nevojshme gjoba më të larta financiare për personat juridikë që hedhin mbetje industriale apo të rrezikshme në mënyrë të paligjshme (siç janë hedhja e gomave apo mbetjeve ndërtimore). Edhe sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për tarifa dhe penalitetet më mirë të strukturuara për të mbuluar kostot reale të menaxhimit të mbeturinave.
Megjithatë për të pasur një zgjidhje afatgjatë nevojitet të ndërtohet infrastrukturë adekuate siç janë ndërtimi i stacioneve të filtrimit, koshave të ndarë dhe deponive rajonale standard, rritja e numrit të inspektorëve mjedisorë dhe përdorimi i teknologjisë (si kamerat) për të kapur ndotësit, edukimi i qytetarëve mbi rëndësinë e riciklimit dhe ndarjes së mbeturinave që në shtëpi si dhe stimulimi i kompanive që riciklojnë dhe penalizimi i atyre që vetëm prodhojnë ambalazhe pa marrë përgjegjësi.
Prandaj, pa ndërtuar infrastrukturën dhe pa luftuar korrupsionin apo neglizhencën institucionale në zbatimin e ligjit, nuk do të ketë zgjidhje të problemit të mbeturinave, shkruan “Zhurnal.mk”.
