Athinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i Greqisë (EMY) ka lëshuar një buletin emergjent për përkeqësimin e motit sot dhe nesër, me reshje të dendura shiu dhe stuhi në disa zona të vendit.
Fenomenet pritet të jenë veçanërisht të forta në zonat detare dhe bregdetare, ndërsa në disa vende mund të shoqërohen edhe me breshër.
Nga mbrëmja e sotme, erëra të forta verilindore pritet të përfshijnë Egjeun Verior, duke u shtrirë gradualisht drejt Egjeut Qendror deri nesër pasdite.
Moti i keq do të prekë sot fillimisht ishujt Jonianë, Greqinë Qendrore perëndimore dhe Peloponezin perëndimor, deri pasditen e vonë.
Nga mesdita, reshjet e dendura pritet të përfshijnë edhe Halkidhikin, ndërsa nga pasditja do të shtrihen drejt ishujve Sporade, Thesalisë lindore dhe Evias.
Nga orët e vona të pasdites deri në mbrëmje, fenomenet do të prekin me ndërprerje Peloponezin verilindor, Greqinë Qendrore lindore dhe Atikën. Në orët e vona të natës, moti i keq pritet të arrijë edhe në ishujt Dodekanezë dhe në Kretë.
Reshjet intensive dhe stuhitë do të vazhdojnëm nesër në Sporade, Thesalinë lindore dhe Evia deri në orët e vona të pasdites.
Në Dodekanezë, fenomenet pritet të zgjasin deri pasdite, ndërsa në pjesën perëndimore të Kretës deri në orët e vona të natës.
Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse.
Shërbimet përkatëse janë njoftuar të jenë në gatishmëri të shtuar për të përballuar pasojat e mundshme të motit të keq.
Shërbimi Zjarrfikës ka vënë në zbatim planin operacional për përballimin e rrezikut nga përmbytjet, ndërsa stacionet zjarrfikëse në zonat më të rrezikuara janë vendosur në gatishmëri të lartë.
Autoritetet këshillojnë qytetarët të sigurojnë objektet që mund të merren nga era ose uji, të kontrollojnë kanalet dhe tubacionet e kullimit, si dhe të shmangin kalimin në përrenj dhe rrjedha ujore gjatë reshjeve të dendura dhe për disa orë pas përfundimit të tyre, edhe me automjete.
