Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Sportit, Borko Ristovski, sot mori pjesë në dorëzimin e pishinës pranë sallës sportive „Naum Naumovski Borçe“ në Karposh, të cilën Komuna e Karposhit ia dorëzoi për shfrytëzim Federatës Kombëtare të Notit (FKN).
Bëhet fjalë për një objekt, ndërtimi i të cilit kishte filluar nga ish-Agjencia për Rini dhe Sport, por që ishte lënë i papërfunduar. Me mbështetjen e Qeverisë, Ministria e Sportit siguroi mjete për përfundimin e ndërtimit të tij, ndërsa në qershor të këtij viti, objekti i ri iu dorëzua në pronësi Komunës së Karposhit.
Nga Ministria e Sportit bëjnë të ditur se me dorëzimin e pishinës FKN-së bëhet një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së një modeli të ri të menaxhimit të infrastrukturës sportive, në të cilin federatat kombëtare sportive do të kenë rol aktiv në menaxhimin e objekteve sportive, me qëllim të shfrytëzimit të tyre më efikas dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e sportit.
Ristovski theksoi se noti është ndër prioritetet e Ministrisë dhe Qeverisë, duke nënvizuar se bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe Federatën e Notit është i rëndësishëm për kthimin e këtij sporti në vendin që e meriton.
Ai tha se Federata do të marrë gjithashtu mbështetje financiare nga Ministria e Sportit dhe Qeveria, në mënyrë që të mund t’i menaxhojë siç duhet këto objekte dhe që ato të shfrytëzohen maksimalisht për zhvillimin e notit.
