Sipas një raportimi të gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, ky zhvillim mund të rrisë ndjeshëm kapacitetet ushtarake të grupit të mbështetur nga Irani dhe të shtojë kërcënimin për vendet e rajonit.
Sipas raportit të organizatës “Conflict Armament Research”, e cila dokumenton përdorimin e armëve dhe zinxhirët e furnizimit në zonat e konfliktit, Houthët kanë siguruar nga një furnizues kinez një sërë komponentësh të nevojshëm për prodhimin e një rakete të ngjashme me Kheibar Shekan, një nga armët më të fuqishme të Iranit.
Informacioni bazohet në të dhëna të siguruara nga autoritetet jemenase në korrik, pas sekuestrimit të dy dërgesave të kryera një vit më parë.
Raketa që Houthët synojnë të prodhojnë mendohet të ketë një rreze veprimi prej rreth 1 900 kilometrash, çka do ta vendoste të gjithë territorin e Arabisë Saudite dhe Izraelin brenda rrezes së mundshme të goditjes.
Dërgesat e sekuestruara përmbanin komponentë raketorë të fshehur mes mallrave të tjera, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si pajisjet ushtarake mund të kalojnë përmes rrjeteve ndërkombëtare të furnizimit.
Raketa iraniane Kheibar Shekan është një armë e lëvizshme, me drejtim të saktë dhe me kosto relativisht të ulët.
Ajo u prezantua për herë të parë në Teheran në vitin 2022 dhe, sipas raportimit, u përdor nga Irani kundër bazave amerikane gjatë përplasjeve ushtarake të pranverës së këtij viti.
Përpjekja e Huthëve për të zhvilluar një variant të ngjashëm do t’u mundësonte atyre të rrisnin kapacitetet e veta të prodhimit të raketave, nëse projekti përfundon me sukses.
Zhvillimet vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme.
Sipas artikullit, rebelet Houthë kanë intensifikuar javët e fundit sulmet kundër Arabisë Saudite, në përpjekje për të thyer bllokadën e vendosur nga Riadi.
Ndërkohë, veprimet e vazhdueshme të Iranit kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar pasigurinë në transportin detar dhe kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi dje përmes një postimi në rrjetin Truth Social, ku akuzoi Houthët se po sillen “shumë keq” dhe paralajmëroi se nuk do ta harronte këtë sjellje.
Raportimi mbi komponentët kinezë ngre pikëpyetje të reja për furnizimin e grupeve të armatosura në rajon dhe për pasojat që përhapja e teknologjisë së raketave balistike mund të ketë për sigurinë e Arabisë Saudite, Izraelit dhe interesave amerikane në Lindjen e Mesme.
