Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur sot gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor gjashtë persona, tre kalimtarë dhe tre protestues.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor 6 persona të lënduar, nga të cilët:
* 3 kalimtarë, në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët vijojnë qëndrimin në spital. Njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
* 3 protestues, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u uron shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar dhe garanton vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.
