Hoti skeptik për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka komentuar reagimet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat u votuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke iu referuar kërkesës për konsultime paraprake për ndryshimet në këtë ligj. Ai shprehu gjithashtu rezerva nëse ndryshimet e miratuara do të sjellin rezultatet e nevojshme për mbrojtjen e duhur të personave që po gjykohen në Hagë.

“Sa i përket reagimit të Bashkimit Evropian, i keni parë reagimet e tij, në të cilat këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë cilësuar si të papranueshme. Ligji u votua javën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Siç mund të flas tani në emër të Qeverisë, nëse flas në emrin tim, do të citoja një fjali të kryeministrit Kurti, të thënë ditën kur u votuan ndryshimet për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Kurti e ka theksuar shumë mirë se nuk jemi shumë të bindur për këtë. Megjithatë, besoj se partia që i ka hartuar ndryshimet është konsultuar me akterë të tjerë dhe me Apelin. Sa i përket kësaj çështjeje, do të shohim se çfarë strategjie do të ndiqet. Por, edhe unë personalisht, si Andin, nuk jam shumë i bindur se këto ndryshime do të sjellin rezultatet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje të duhur. Po theksoj se kjo është çështje që u përket atyre që sot ndodhen në Hagë”, tha Hoti.

Ministri theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian lidhen edhe me procedurën e ndjekur gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore. Ai rikujtoi se për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara parashihet konsultimi paraprak me BE-në.

“Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritshme, sepse, të them të drejtën, një nga dispozitat që përmendet edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thekson se, për çdo ndryshim të këtij ligji, duhet të ketë konsultim paraprak me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, të cilat janë përgatitur brenda dy apo tri ditësh”, deklaroi Hoti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër