Gashi në Konferencën evropiane të kryetarëve të parlamenteve në Romë

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në Konferencën evropiane të kryetarëve të parlamenteve, e cila do të mbahet më 15 dhe 16 tetor 2026 në Romë, Itali.

Konferenca organizohet nën patronazhin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe shënon 50-vjetorin e mbajtjes së takimit të parë të këtij formati në Romë, në vitin 1975.

Siç njoftoi pres shërbimi i Kuvendit, në këtë forum të nivelit të lartë, kryetarët e parlamenteve do të shkëmbejnë mendime lidhur me sfidat me të cilat përballen institucionet demokratike, ndikimin e zhvillimit teknologjik në shoqëri dhe tregjet e punës, si dhe rolin e parlamenteve në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe gjetjen e përgjigjeve ndaj krizave bashkëkohore.

Në kuadër të Konferencës do të mbahet edhe një takim i veçantë i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve, ku do të marrë pjesë edhe Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit. Rendi i ditës i këtij takimi parasheh diskutime mbi transparencën, integritetin dhe etikën si parakushte thelbësore për rikthimin dhe forcimin e besimit të qytetarëve te parlamentet.

Konferenca evropiane e kryetarëve të parlamenteve mbahet çdo dy vjet dhe në të marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe delegacione nga shtetet me statusin e partnerit dhe të vëzhguesit, krahas përfaqësuesve të asambleve parlamentare ndërkombëtare.

Pesëdhjetë vjet pas takimit të parë në Romë, konferenca do të përbëjë një mundësi për të riafirmuar rolin thelbësor të parlamenteve në ruajtjen e demokracisë, garantimin e llogaridhënies, përballimin e sfidave të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili varen paqja, stabiliteti dhe sundimi i së drejtës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër