Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 30 deputetëve, të cilët kërkojnë ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare: një për investimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar në infrastrukturën rrugore dhe një tjetër për funksionimin e AKSHI-t. Një prej çështjeve në fokus është kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të ARRSH-së në realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore, sektor në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës kur kjo ministri është drejtuar nga Belinda Balluku.
Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi më 12 tetor 2026 kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike. 30 deputetët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese pasi Kuvendi nuk miratoi projektvendimet për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Ata kërkojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit, si dhe përcaktimin e detyrimit të Parlamentit për ngritjen e këtyre komisioneve.
Konkretisht, objekti i kërkesës sw 30 deputetëve është: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se të një katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit ‘Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore’ dhe
‘Për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend i NATO-s’.”
Deputetët kërkojnë gjithashtu shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 57/2026 të Kuvendit, me të cilin nuk u miratua projektvendimi për komisionin hetimor për ARRSH-në, si dhe të vendimit nr. 58/2026, që rrëzoi projektvendimin për komisionin hetimor për AKSHI-n.
