Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Drejtoria Vendore e Policisë Korçë informon se dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit e ditës së djeshme.
Sipas Policisë, gjatë tubimit, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, Universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë shkaktuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.
Në vijim të veprimeve hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë arrestuar shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht.
Ndërkohë, 23 shtetas janë proceduar penalisht, 15 prej të cilëve të mitur.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
