Trpovski u gjet i vdekur më 21 mars 2024, në automjetin e tij, në parkingun pranë poliklinikës “Zhelezara”, me nëntë plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë.
Arrestimi i të dyshuarve në atë kohë u shoqërua me vëmendje të madhe mediatike. Por vetëm disa ditë më vonë, më 29 mars, Prokuroria njoftoi se ekspertizat e kryera nuk kishin siguruar prova që do të krijonin dyshim të bazuar se personat e arrestuar e kishin kryer vrasjen.
Për këtë arsye, prokurori vendosi të mos kërkonte vazhdimin e masave për sigurimin e pranisë së tyre.
Megjithatë, për familjen Drenkoski, lirimi nuk shënoi fundin e pasojave të hetimit.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Telma, prokurori Anel Fidoski, në shkurt të vitit 2025, pothuajse një vit pas vrasjes, kishte nxjerrë urdhër që sendet e sekuestruara dhe automobili “Fiat Panda”, në pronësi të familjes, të mbeteshin në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar deri në përfundimin e procedurës penale.
Pavarësisht kalimit të kohës, familja nuk merrte shpjegime për veprimet e mëtejshme të institucioneve.
Avokatja e tyre, Tea Dameva, kishte dërguar kërkesa për shqyrtimin e dosjes, e më pas edhe urgjenca te prokurorët kompetentë.
Sipas storieve të Telmës, urgjenca ishin dërguar te prokurori Nenad Saveski dhe te ushtruesja e atëhershme e detyrës së prokurores së lartë publike, Natasha Krstevska Caleva. Përgjigje nuk morën.
Ndërkohë, ndryshoi edhe prokurori që merrej me lëndën. Në janar të vitit 2026, Anel Fidoski u zgjodh shef i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, ndërsa hetimin e mori përsipër prokurorja Elena Zhakula.
Gjatë kohës kur institucionet heshtnin, bashkëshorti i Gordanës u sëmur nga kanceri dhe ndërroi jetë.
“Edhe bashkëshorti im vdiq nga stresi. Nuk mundi ta përballonte turpin. Kur vdiq në duart e mia, fjalët e tij të fundit ishin: drejtësi, drejtësi, drejtësi”, rrëfen Drenkoska për Telmën.
Fjalët e saj dëshmojnë për barrën e rëndë personale dhe familjare të këtij rasti. Megjithatë, pretendimi se stresi ka kontribuar në vdekjen e bashkëshortit është vlerësim i saj dhe jo një lidhje shkakësore e vërtetuar nga ana mjekësore.
Një kthesë në hetim ndodhi më 15 korrik të këtij viti, kur Prokuroria njoftoi se kishte siguruar prova kundër një çifti tjetër bashkëshortor nga Shkupi.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, një burrë 65-vjeçar dyshohet se e ka vrarë mjekun, ndërsa bashkëshortja e tij 59-vjeçare dyshohet se e ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Të nesërmen, gjykata u caktoi atyre paraburgim prej 30 ditësh. Procedura ndaj tyre po zhvillohet duke respektuar prezumimin e pafajësisë.
Drenkoska për zhvillimet e reja në rastin e vrasjes mësoi nga mediat, e jo nga institucionet që për më shumë se dy vjet e kishin lidhur atë dhe bashkëshortin e saj me të njëjtën vrasje.
Në përgjigjen e transmetuar nga Telma, Prokuroria është thirrur në faktin se nuk kishte detyrim ligjor për ta njoftuar familjen.
Por pikërisht ky shpjegim ngre pikëpyetje për mënyrën se si institucionet i trajtojnë qytetarët që janë arrestuar dhe lidhur publikisht me një vepër veçanërisht të rëndë penale, ndërsa kundër tyre nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për vazhdimin e masave të privimit nga liria.
Detyrimi ligjor për njoftim është një çështje. Një çështje tjetër është se përse qytetarët që prej vitesh kërkojnë informacione për dosjen dhe pasurinë e sekuestruar nuk marrin përgjigje të qartë dhe në kohë.
Rasti ngre gjithashtu pikëpyetje për mënyrën e trajtimit të pasurisë së sekuestruar për nevojat e hetimit, kohëzgjatjen e mbajtjes së saj dhe mundësitë që pronarët të kërkojnë rishqyrtimin e masave të tilla.
Po aq të rëndësishme janë pasojat e stigmatizimit publik. Arrestimi për një vepër të rëndë penale mund të lërë pasoja afatgjata në jetën personale dhe familjare, edhe kur organet hetimore më vonë konstatojnë se nuk ka prova të mjaftueshme kundër personave të arrestuar.
Dëshmia e Gordana Drenkoskës nuk është vetëm historia e një rasti policor dhe prokurorial. Ajo ngre çështje thelbësore për llogaridhënien e prokurorëve, të drejtat e personave të përfshirë në hetime dhe përgjegjësinë institucionale për veprimet që shkaktojnë pasoja të rënda në jetën e qytetarëve.
Pas dy vjetësh e gjysmë, Drenkoska ka mbetur pa bashkëshortin, me përvojën e hidhur të arrestimit dhe me pyetje pa përgjigje. Ndërsa Prokuroria ende duhet të shpjegojë qartë se përse kërkesat e familjes mbetën pa përgjigje dhe cili është statusi i pasurisë së sekuestruar.
