Editorial / Serbia përveç halleve të veta, gjenë para për të financuar shoqatat në RMV për promovimin e Vuçiçit

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Autoritetet serbe kanë ndarë të paktën 250,000 euro që nga viti 2023 për shoqatat në Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë që mbështesin publikisht politikat e Aleksandar Vuçiç dhe Partisë së tij Progresive Serbe (SNS). Një hetim nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) zbulon se midis përfituesve të fondeve janë tre organizata nga Shkupi, Kumanova dhe Manastiri, të cilat morën gjithsej 111,700 euro nga buxheti shtetëror serb. Shtrohet pyetja se përse Serbia përveç halleve të veta, gjenë para për të financuar shoqatat në RMV-të për promovimin e Vuçiçit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Afër 112 mijë euro para serbe për ta mbështetur Vuçiçin

Paratë u shpërndanë përmes Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, zyrtarisht për projekte që lidhen me kulturën, fenë, ruajtjen e alfabetit cirilik dhe identitetin kombëtar.

Ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore serbe është Qendra Kulturore Serbe në Shkup, e cila ka marrë 84,500 euro që nga viti 2023.

Komuniteti i Serbëve në Maqedoni – Manastir, i udhëhequr nga Zoran Zugic, gjithashtu mori mbështetje financiare. Në tre vitet e fundit, organizata ka marrë 21,300 euro nga Administrata e Diasporës.

Midis përfituesve është Qendra për Arsim dhe Zhvillim të të Rinjve (CEROB) me seli në Beograd, e cila mori pothuajse 34,000 euro për kampe rinore për diasporën.

Studiuesit paralajmërojnë se disa nga organizatat që marrin fonde nuk kanë aktivitete, punonjës apo zyra funksionale të dukshme publikisht, gjë që ngre pyetje në lidhje me transparencën e ndarjes dhe shpenzimit të parave.

Në Beograd protesta kundër Vuçiçit, serbët e këtushëm mbështetje për Vuçiçin

Ndër organizatat që morën mbështetje financiare është edhe shoqata “Paqe, Unitet, Stabilitet” nga Kumanova, e cila organizoi një tubim në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit më 23 maj të këtij viti. Në tubim morën pjesë disa qindra qytetarë, kryesisht anëtarë të komunitetit serb, të cilët mbanin veshur bluza me sloganin e partisë “Serbia fiton”.

Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur në Beograd po zhvilloheshin protesta të mëdha studentore kundër qeverisë.
Vetëm 38 ditë para tubimit, kjo shoqatë mori 3,400 euro nga Administrata e Diasporës Serbe për projekte që lidhen me Ortodoksinë, dhe disa javë më vonë iu dhanë edhe 2,500 euro të tjera për ruajtjen e shkrimit cirilik.

E njëjta shoqatë organizoi transport falas me autobus dhe siguroi ushqim për qytetarët nga Kumanova që po udhëtonin për në një tubim pro-qeveritar në Beograd.

Pse nodhë ky financim kur vetë Serbia ka halle të mëdha

Ky model financimi mund të përdoret për të përhapur ndikimin politik përtej kufijve të Serbisë, përmes organizatave që angazhohen zyrtarisht në aktivitete kulturore dhe shoqërore.

Vetëm ndarja e fondeve për shoqatat, përfaqësuesit e të cilave e mbështesin publikisht Vuçiçin, nuk vërteton se grantet specifike u përdorën për të financuar tubime partiake ose fushata politike. Gjetjet tregojnë se përdorimi i parave publike për organizatat pranë partisë në pushtet të Serbisë dhe mbështetja shtetërore për diasporën shërben njëkohësisht për të forcuar ndikimin politik të Beogradit në rajon.

Qeveria e Aleksandar Vuçiqit financon këto shoqata në Maqedoninë e Veriut kryesisht për përfitime politike të brendshme, shtrirjen e ndikimit rajonal dhe sinkronizimin ideologjik.

Këto organizata shpesh shërbejnë si platformë për të përhapur të njëjtat qëndrime ideologjike si qeveria në Beograd. Kjo përfshin përsëritjen e narrativave pro-ruse, glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte, mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe retorikën e krahut të djathtë kundër të ashtuquajturës “ideologji gjinore”.

Fatkeqësisht, Drejtoria për Diasporën përdoret si një instrument për të shpërblyer me para të taksapaguesve serbë personat ose grupet që bëjnë propagandë të hapur për partinë në pushtet, edhe nëse ato organizata nuk kanë zyra publike, punonjës apo aktivitete reale kulturore.

Përderisa zyrtarisht paratë jepen për “ruajtjen e alfabetit qirilik dhe traditës ortodokse”, në praktikë ato shërbejnë si mjet për të blerë influencë dhe besnikëri politike në rajon.

Organizatat e shoqërisë civile, gazetarët investigativë dhe opozita në Serbi janë shprehur ashpër kundër ndarjes së këtyre parave shtetërore, duke shtuar se këto para duhet të shkojnë për projekte reale kulturore apo humanitare, dhe jo për të financuar fushata partiake të SNS-it jashtë vendit.

Ndikimi i Vuçiçit te serbët në Maqedoninë e Veriut

Ndikimi i qeverisë serbe dhe politikave të Aleksandar Vuçiqit në Maqedoninë e Veriut është mjaft i konsiderueshëm dhe është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas raporteve të institucioneve evropiane dhe analizave gjeopolitike, ky ndikim shtrihet në rrafshin politik, mediatik, kulturor dhe përmes opinionit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq, i cili mban pozicionin e Ministrit për Pushtet Lokal, ka lidhje shumë të ngushta me qarqet politike të Vuçiqit në Beograd. Ai shpesh shërben si urë për depërtimin e drejtpërdrejtë të agjendës serbe në politikën e brendshme të vendit. Nëpërmjet këtyre parave, Vuçiç mundohet të krijojë ndikim përmes të ashtuquajturës “Soft Poëer” dhe aktualisht, anketat e fundit tregojnë se mbi 53% e maqedonasve etnikë e shohin Serbinë si shtetin më miqësor.

Nga ana tjetër presidenti serb Aleksandar Vuçiq përdor strategjinë e “Botës Serbe” për të mbajtur nën kontroll politik dhe ideologjik komunitetet serbe jashtë kufijve të Serbisë. Njëjtë ndodhë në Kosovë me “Listën Serbe”, në BeH nëpërmjet Milorad Dodik, në Mal të Zi përmes koalicionit pro-serb dhe në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet shoqatave të ndryshme.

Gjithashtu, kisha përdoret si instrumenti kryesor shpirtëror dhe kulturor për të unifikuar serbët e rajonit rreth politikave të Beogradit, duke promovuar të njëjtat narrativa ideologjike në të gjitha shtetet fqinje.

Të gjitha këto financime paraqesin rrezik për sigurinë e Maqedonisë së Veriut, prandaj shteti dhe institucionet përgjegjëse duhet sa më parë të marin masa dhe mos të lejojnë që këto financime të ndikojnë në politikat që kanë të bëjnë me regjimin e Vuçiçit, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër