Raiçeviq: Do të kontaktoja MPB-në për rastet që po heton dhe më pas do të përcaktoja prioritetet e Prokurorisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor Zhurnal.mk – “Ka dallim mes asaj që është e para dhe asaj që është prioritet. Pasi ta shqyrtojmë gjendjen, do të shohim se cilat çështje do të jenë vërtet prioritare. Por, gjëja e parë që do të bëja nëse do të merrja drejtimin e kësaj prokurorie, do të ishte të bisedoja me kolegët për të kuptuar vëllimin e lëndëve që kanë në trajtim, në cilën fazë ndodhen dhe si po punohet për to”, deklaroi prokurorja Lidija Raiçeviq në emisionin e mbrëmjes “Top Tema” në televizionin Telma, gjatë debatit me tre kandidatët e tjerë për drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Raiçeviq theksoi se hapi i dytë do të ishte vendosja e kontakteve me Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht me sektorët përgjegjës për luftën kundër krimit të organizuar, në mënyrë që të informohej për rastet që po hetohen dhe të dhënat që po mblidhen për zbulimin e kësaj forme të kriminalitetit.

“Së dyti, do të kontaktoja Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht zyrtarët përgjegjës për krimin e organizuar, që të më informonin për gjendjen e njohurive që kanë, për rastet me të cilat po merren dhe për të cilat po mbledhin të dhëna me qëllim zbulimin e këtij lloji të kriminalitetit. Pasi ta kem këtë pasqyrë, së bashku me njohuritë që i kam personalisht, do të hartoj planin për përcaktimin e prioriteteve të punës së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, deklaroi Raiçeviq.

Ajo theksoi se prioritetet e prokurorisë nuk duhet të përcaktohen vetëm nga interesimi i opinionit publik, pasi jo çdo rast që tërheq vëmendjen e qytetarëve duhet domosdoshmërisht të jetë prioritet për ndjekje penale.

“Vlerësoj se fushat prioritare nuk varen nga zëri i opinionit publik. Interesi i publikut nuk e përcakton gjithmonë prioritetin e ndjekjes penale. Disa raste mund të jenë të bujshme dhe të rëndësishme, por çfarë ndodh me ato që nuk arrijnë fare në opinion?”, theksoi Raiçeviq.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër