Shkup, 19 tetor Zhurnal.mk – Tregtia online në Maqedoninë e Veriut po vazhdon të shënojë rritje. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, vlera e transaksioneve në internet arriti në 530,3 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore, të analizuara nga Asociacioni për Tregti Elektronike të Maqedonisë (AETM), kjo paraqet një rritje prej 14,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga shuma e përgjithshme, 302,4 milionë euro janë shpenzuar te tregtarët vendas online, ndërsa 227,9 milionë euro kanë përfunduar te dyqanet e huaja në internet.
Rritje është regjistruar edhe në numrin e transaksioneve. Gjatë gjashtë muajve janë realizuar 15,3 milionë pagesa online, që është 10,1 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Pjesa më e madhe e pagesave është kryer me kartela bankare të Maqedonisë së Veriut në dyqanet vendase, me rreth tetë milionë transaksione. Ndërkohë, drejt tregtarëve të huaj janë realizuar 6,45 milionë transaksione.
Vlera mesatare e një transaksioni online ka qenë 34,6 euro, ndërsa te blerjet nga jashtë vendit kjo mesatare ka arritur në 35,3 euro.
Trend pozitiv është vërejtur edhe te dyqanet vendase në internet. Deri në fund të qershorit të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut ishin regjistruar 2.408 pika shitjeje online, përkatësisht 168 më shumë krahasuar me fundin e vitit 2025.
Kryetarja e AETM-së, Nina Angelovska Stankov, vlerëson se tregtia elektronike vazhdon të zhvillohet, megjithëse ritmi i rritjes është më i moderuar krahasuar me vitin e kaluar.
Sfida kryesore për tregtarët vendas online mbetet tërheqja e një pjese më të madhe të parave që qytetarët e Maqedonisë së Veriut shpenzojnë në platformat e huaja të internetit.
