Tiranë, 22 tetor Zhurnal.mk – Deputeti i PS-së, Ardit Bido kritikoi aksionin e Partisë Demokratike në Kuvend, duke e cilësuar si vijimësia e teatrit të shëmtuar të PD. Për të në Parlament duhet të ketë dialog dhe debat, ndërsa veprimet për të penguar punimet nuk janë politikë. “Kjo forma e tretë me pseudo cubat që të heqin kartonin nga dora, kur janë kamerat, se kur nuk ka kamera jo, nuk është politikë”, deklaroi ai.
Duke komentuar interpelancën me ministrin e Brendshëm, deputeti socialist tha se kërkesa ishte bërë nga PD, por sipas tij, vetë deputetët e opozitës nuk lejuan zhvillimin e saj. I pyetur për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, Bido theksoi se përgjegjësia për përgjigjen varet nga fusha që mbulon institucioni përkatës.
“Ajo që ne pamë sot, ishte tentativa e Partisë Demokratike për të hyrë nga dritarja. Për të hyrë nga dritarja, në një lutje për bashkëqeverisje, se flisnin për qeveri kujdestare”, u shpreh Bido.
Sa i përket protestës, ai deklaroi se pjesëmarrja nuk kufizohet vetëm te PD, duke përmendur edhe parti të vogla, aktivistë dhe studentë. “Nuk është protestë e PD, por një protestë që duhet të marrim mesazhet e duhura”, përfundoi deputeti socialist.
