Ristovski: Objektet e mëdha janë të rëndësishme, por më e rëndësishmja është që çdo fëmijë të ketë ku të merret me sport

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Sporti duhet të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët, e jo vetëm për ata që kanë mundësi të stërviten, të garojnë apo të merren me aktivitete rekreative në qendrat e mëdha sportive. Kështu ka deklaruar ministri i Sportit, Borko Ristovski, duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën sportive nëpër komuna.

Në një intervistë për portalin “Kontra”, Ristovski ka theksuar se përparësi duhet t’u jepet objekteve sportive që do të jenë në shërbim të përditshëm të fëmijëve dhe të rinjve, pavarësisht vendbanimit të tyre. Sipas tij, nëse do të duhej të zgjidhte mes ndërtimit të një objekti të madh sportiv dhe disa objekteve më të vogla me të njëjtën shumë parash, ai do të përcaktohej për investime në më shumë komuna. “Nëse duhet të zgjedh, me të njëjtat mjete do të preferoja dhjetë objekte më të vogla që fëmijët do t’i shfrytëzonin çdo ditë në komuna të ndryshme, sesa një objekt të madh sportiv që do të shërbente si simbol i qytetit”, ka deklaruar Ristovski.

Ministri ka nënvizuar se, megjithëse objektet e mëdha sportive kanë rëndësinë e tyre, prioritet duhet të mbetet krijimi i kushteve për përfshirjen sa më të gjerë të fëmijëve në aktivitete sportive. “Objektet e mëdha janë të rëndësishme, por më e rëndësishmja është që çdo fëmijë të ketë ku të merret me sport”, ka porositur Ristovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër