Tiranë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, theksoi sot në një reagim në rrjetet sociale se përgjegjësia penale në Shqipëri nuk fillon në moshën 18 vjeç, por edhe të miturit mund të mbajnë përgjegjësi për vepra penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç. Sipas legjislacionit shqiptar, të miturit mbajnë përgjegjësi penale: nga mosha 14 vjeç për kryerjen e krimeve dhe nga mosha 16 vjeç për kryerjen e kundërvajtjeve penale”, u shpreh Gogu.
Ministri shtoi se “përfshirja në akte dhune sjell pasoja penale edhe për të miturit. Njohja e ligjit dhe ndërgjegjësimi për pasojat janë hapa të rëndësishëm për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të rinjve”.
Burgela Allgjata, oficere e sigurisë në shkolla ndërkaq, shpjegoi se sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përgjegjësia penale fillon nga mosha 14 vjeç për krimet dhe nga mosha 16 vjeç për kundërvajtjet penale.
Në videon e publikuar, Allgjata thekson gjithashtu se çdo rast i përgjegjësisë penale duhet të shqyrtohet individualisht, duke respektuar garancitë ligjore dhe të drejtat e të miturit.
“Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përgjegjësia penale fillon në moshën 14 vjeç për krimet dhe në moshën 16 vjeç për kundërvajtjet penale. Çdo rast i përgjegjësisë penale duhet të shqyrtohet individualisht, duke respektuar garancitë ligjore dhe të drejtat e të miturit”, shprehet Allgjata.
