Tiranë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti sot rezultatin e arritur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë, duke e cilësuar atë si një arritje historike për përfaqësimin e tyre politik.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai u ka përcjellë urimet e tij shqiptarëve të Luginës, duke vlerësuar bashkimin në një koalicion të vetëm, i cili u ka mundësuar fitimin e dy mandateve parlamentare, ndërsa një mandat i tretë mbetet i mundshëm.
“Një urim të përzemërt, në emër të Partisë Demokratike, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të djeshme në Republikën e Serbisë. Pas bashkimit në një koalicion të vetëm, ata fituan dy mandate parlamentare, ndërsa edhe një mandat i tretë mbetet i mundshëm”, shkruan Berisha.
“Ky rezultat është një dëshmi e rëndësishme e fuqisë së bashkimit dhe e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thekson më tej Berisha.
