Dy viktima dhe mijëra banesa pa energji pas stuhive që përfshinë vendin

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Londër, 26 tetor, Zhurnal.mk – Dy persona kanë humbur jetën dhe mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike pasi dy stuhi goditën Britaninë e Madhe brenda tri ditësh.

Sipas BBC-së, një i ri rreth të 20-ave u shpall i vdekur pasi një pemë ra mbi një automjet në lëvizje në veri të Londrës.

Policia u njoftua për incidentin në Dollis Road, në zonën e Finchleyt. I riu u shpall i vdekur në vendngjarje.

“Ky është një incident thellësisht tragjik dhe mendimet tona janë me familjarët dhe të dashurit e të riut që humbi jetën”, tha kryeinspektori Guy Ellwood, nga Njësia e Komandës për Veriperëndimin e Londrës.

Shërbimi i Ambulancës së Londrës dërgoi në vendngjarje ekipe ambulancash, oficerë të reagimit ndaj incidenteve, personel mjekësor të specializuar për ndërhyrje në zona të rrezikshme dhe një ekip traume nga Shërbimi Ajror i Ambulancës së Londrës.

Ngjarja vjen pas vdekjes së një burri 60-vjeçar, i cili u godit nga një pemë e rrëzuar dje në Dumfries dhe Galloway, në perëndim të Skocisë.

Ndërkohë, dy gra u dërguan në spital pasi u goditën nga një tjetër pemë e rrëzuar në Aberfeldy, në zonën e Perth dhe Kinross.

Paralajmërimi i fundit meteorologjik përfundoi mbrëmë pasi stuhia Boelo goditi pjesën veriore të Britanisë së Madhe  duke sjellë erëra me shpejtësi deri në 135 kilometra në orë dhe reshje shiu që në disa zona të Skocisë arritën në rreth një të tretën e sasisë mesatare mujore.

Sipas Shoqatës së Rrjeteve Energjetike, e cila përfaqëson operatorët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, deri në orën 19:00 të së dielës, rreth 90.600 abonentë vijonin të ishin pa energji elektrike.

Udhëheqësi i Skocisë, John Swinney, zhvilloi dje një takim me politikanë të lartë, ekipet e emergjencave dhe meteorologët për të diskutuar reagimin ndaj situatës, në një kohë kur paralajmërohet rikthimi i kushteve të ngjashme atmosferike në fillim të kësaj jave.

Pas takimit, Stuart Wilson, nga Transport Scotland, deklaroi se nevojitet një “punë e konsiderueshme rikuperimi” përpara se rrjeti i transportit të kthehet në normalitet.

Ndërkohë, sekretarja skoceze për Drejtësinë Sociale dhe Strehimin, Shirley-Anne Somerville, tha se autoritetet presin një përmirësim të përkohshëm të motit gjatë së hënës, por paralajmëroi për mundësinë e kushteve më të rënda atmosferike në fillim të javës.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë të ndjekin këshillat e autoriteteve dhe të respektojnë paralajmërimet meteorologjike.

Zyra Meteorologjike britanike (Met Office) ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për erëra të forta dhe rryma ajri potencialisht dëmtuese, i cili do të jetë në fuqi nga ora 03:00 e së martës deri në mesnatë.

Paralajmërimi përfshin zonat më veriore të Anglisë, Skocinë dhe pjesën më verilindore të Irlandës së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër