Dita e fitores u kthye në tragjedi, Abdixhiku kujton Ukë Bytyçin në 24-vjetorin e vrasjes

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Ukë Bytyçin, ish-kryetarin e Suharekës, i cili u vra më 27 tetor 2002, së bashku me Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyçin.

Përmes një postimi, Abdixhiku ka kujtuar se vrasja kishte ndodhur në ditën kur LDK-ja po festonte fitoren në Suharekë, duke e cilësuar atë si një ngjarje tragjike për familjet e viktimave, qytetin dhe partinë.

“Sot, 24 vjet më pas, nderojmë Ukën, bashkëpunëtorin e Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesin e LDK-së në Suharekë, eprorin e UÇK-së në Pashtrik, dhe kryetarin që besimin e qytetarëve e kishte fituar me punë e përkushtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se Bytyçi i kishte qëndruar pranë Kosovës në kohët e saj më të vështira dhe se pas luftës kishte vazhduar t’i shërbente vendit.

Kreu i LDK-së ka vlerësuar se kujtimi për Ukë Bytyçin përbën përgjegjësi për partinë, duke kritikuar ata që, sipas tij, e harrojnë historinë dhe sakrificën e veprimtarëve.

“Për LDK-në, emri i Ukë Bytyçit është përgjegjësi. Kush harron emrin e tij, kush relativizon historinë tonë, kush tregton me sakrificën e veprimtarëve, ka harruar dhe lidhjen më të madhe shqiptare në kohë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku e ka përmbyllur mesazhin me fjalët: “Nuk e harrojmë. E kujtojmë, me krenari!”

Ukë Bytyçi ishte kryetar i Suharekës dhe një nga figurat e LDK-së në këtë komunë. Vrasja e tij, së bashku me Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyçin, mbetet një ngjarje e rëndë në historinë politike të pasluftës në Kosovë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër