Rritja ekonomike, çfarë paralajmëron Banka Botërore për Kosovën?

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3.6% më 2026, ndërsa inflacioni të arrijë mesatarisht 6%. Banka Botërore paralajmëron se zgjatja e pasigurisë politike mund të vonojë reformat, të dobësojë besimin e investitorëve dhe të rrezikojë qasjen në financimin e jashtëm.

Në raportin “Macro Poverty Outlook” të tetorit 2026, institucioni financiar ndërkombëtar vlerëson se konsumi do të vazhdojë të jetë shtytësi kryesor i ekonomisë së Kosovës, i mbështetur nga pagat, transferet qeveritare dhe remitancat, raporton KosovaPress.

Projeksioni për këtë vit është i njëjtë me rritjen e shënuar më 2025. Për vitin 2027 parashikohet zgjerim ekonomik prej 3.8%, ndërsa për vitin 2028 prej 3.9%.

Megjithatë, Banka Botërore thekson se rreziqet mbeten të konsiderueshme. Krahas zhvillimeve politike brenda vendit, çmimet më të larta të karburanteve dhe pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të rëndojnë aktivitetin ekonomik. Investimet përballen gjithashtu me kosto më të larta të importeve.

Sipas raportit, ekonomia u rrit me 5.4% në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur nga eksportet neto dhe konsumi qeveritar. Në gjysmën e parë të vitit, eksportet e mallrave u shtuan me 19% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa ato të shërbimeve me 13%.

Presioni i çmimeve, ndërkaq, vazhdoi të ndikojë të ardhurat e qytetarëve. Inflacioni mesatar në 6 muajt e parë arriti në 6.5%. Ndonëse rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve u ngadalësua nga 8% në shkurt në 2.7% në korrik, transporti shënoi shtrenjtim dyshifror duke filluar nga marsi.

Banka Botërore parashikon që varfëria të ulet lehtë, nga 22.2% më 2025 në 22% më 2026, sipas pragut prej 8.30 dollarësh në ditë, të përshtatur për fuqinë blerëse. Norma pritet të zbresë në 21.1% më 2027 dhe në 20.2% më 2028.

Raporti paralajmëron se një rritje e re e çmimeve ushqimore do të përbënte rrezik të veçantë për familjet më të cenueshme. Ushqimi zë 64% të konsumit të përgjithshëm të 10% më të varfër të popullsisë.

Në financat publike, të hyrat tatimore në 7 muajt e parë u rritën mesatarisht me 9%, por shpenzimet u shtuan me 19%. Banka Botërore evidenton nevojën për ndihmë sociale më të shënjestruar dhe për orientimin e shpenzimeve drejt investimeve kapitale cilësore.

Për rritje më të qëndrueshme, institucioni kërkon përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes të BE-së, investime në energji, infrastrukturë dhe arsim, si dhe përmirësim të mjedisit të biznesit. Përfshirja më e madhe e grave në tregun e punës dhe aftësimi profesional vlerësohen gjithashtu si thelbësore për krijimin e më shumë vendeve të punës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër