Evropa merr më shumë përgjegjësi për mbrojtjen brenda NATO-s, pa u shkëputur nga SHBA

Nga D V
A+ A-
Rivendos
Paris, 27 tetor, Zhurnal.mk – Pesë vendet kryesore evropiane të NATO-s deklaruan se janë të gatshme të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, duke riafirmuar njëkohësisht se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i domosdoshëm.

Ministrat e Mbrojtjes të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Britanisë së Madhe, të cilat përbëjnë grupin E5, u zotuan për bashkëpunim më të ngushtë me Uashingtonin pas bisedimeve të zhvilluara në Paris për forcimin e rolit të Evropës në mbrojtjen e saj.

Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet theksuan se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet dhe të kontribuojë më shumë brenda aleancës. Megjithatë, ato nënvizuan se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për një NATO të fortë dhe të besueshme.

“Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten një aleat i domosdoshëm, ndërsa angazhimi i vazhdueshëm amerikan në sigurinë evropiane është thelbësor për një NATO të fortë dhe të besueshme”, thuhet në deklaratë.

Ministrja franceze Catherine Vautrin deklaroi se pesë vendet kishin rënë dakord të punonin për ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je po aq të fortë.

Sipas saj, kjo do të realizohet përmes një plani të koordinuar dhe në transparencë të plotë me Uashingtonin.

Edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila mori pjesë në takim, theksoi nevojën për modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake evropiane.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, shprehu besimin se çdo marrëveshje për reduktimin e trupave amerikane do të koordinohet me aleatët, në mënyrë që të shmangen boshllëqet në kapacitetet mbrojtëse dhe në parandalimin e kërcënimeve.

Ministrat e Mbrojtjes të grupit E5 riafirmuan gjithashtu angazhimin për të mbështetur Ukrainën, megjithëse nuk njoftuan ndihma të reja financiare apo operacionale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër