Ky do të jetë roli i pjesëtarëve të FSK-së gjatë misionit në Gaza

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Gaza, 27 tetor Zhurnal.mk – Kosova është e gatshme të dërgojë trupa në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), por dislokimi i tyre varet nga gatishmëria e kësaj force për t’i pranuar, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës për gazetën “The Times of Israel”.

Siç shkruan gazeta izraelite, Kontributi i Kosovës në këtë mision do të përfshijë një ekip për çminimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD), një komandant kontingjenti që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel shtesë.

Ministria nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve që do të përfshihen në kontingjent.

“Ekipi EOD i Kosovës është i gatshëm dhe do të dislokohet sapo ISF-ja të jetë e përgatitur për ta pranuar. Koha e dislokimit do të përcaktohet nga ISF-ja, në koordinim me autoritetet përkatëse dhe në përputhje me gatishmërinë e misionit”, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen me shkrim për gazetën izraelite.

Sipas ministrisë, përgatitjet për këtë mision kanë përfshirë edhe trajnimin e pjesëtarëve të Kosovës nga forcat partnere në muajin maj. Kjo pasoi një vizitë vlerësuese të një ekipi të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, më 26 prill, për të shqyrtuar zonën ku pritet të veprojnë trupat kosovare.

Detyrat konkrete të pjesëtarëve të Kosovës do të përcaktohen në koordinim me ISF-në, në varësi të zhvillimit të misionit, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Kosova e nënshkroi zyrtarisht marrëveshjen e pjesëmarrjes me Bordin e Paqes dhe Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit më 7 shtator. Në këtë mision janë zotuar të marrin pjesë edhe vende të tjera, përfshirë Marokun dhe Kazakistanin.

Në korrik, një delegacion i vogël ushtarësh nga Kosova mbërriti në Izrael në kuadër të përgatitjeve paraprake për misionin. Një delegacion i ngjashëm nga Maroku kishte mbërritur një muaj më herët.

Ndërkohë, Shqipëria e ka finalizuar marrëveshjen e pjesëmarrjes në ISF gjatë fundjavës. Sipas një deklarate të Bordit të Paqes, oficerët shqiptarë të ndërlidhjes pritet të dislokohen në rajon gjatë muajit nëntor.

Marrëveshja, e nënshkruar të premten në një ceremoni ku morën pjesë komandanti i ISF-së, gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers, dhe zyrtarë të lartë të mbrojtjes shqiptare, parasheh mbështetje për operacionet e sigurisë dhe planifikimin e operacioneve të misionit.

Megjithatë, dislokimi i forcës ndërkombëtare në Gaza ende nuk ka nisur. Plani i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili synon të sigurojë zonat nga të cilat tërhiqen trupat izraelite, të mbështesë procesin e çarmatimit të Hamasit, të trajnojë policinë palestineze dhe të mbrojë operacionet humanitare, është përballur me vonesa dhe mosmarrëveshje.

Përplasjet kryesore lidhen me çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht dhe Gaza të demilitarizohet para tërheqjes së trupave dhe nisjes së rindërtimit, ndërsa Bordi i Paqes ka mbështetur një tërheqje graduale, të lidhur me verifikimin e çarmatimit.

Sipas planit amerikan, ISF-ja pritet të ndihmojë në sigurinë e zonave nga të cilat largohen trupat izraelite, në trajnimin e policisë palestineze dhe në krijimin e kushteve për hyrjen e një komiteti të teknokratëve palestinezë që do të administronte territorin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër