Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Një kompani nga Sllovenia ka kërkuar ndihmë për gjetjen e një automjeti luksoz BMW X6 të bardhë, të vitit 2021, i cili dyshohet se mund të jetë sjellë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe rajonin e Tetovës.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat sllovene, automjeti është dhënë me qira nga kompania CDA Rental Solutions nga Izola, por nuk është kthyer në kohën e paraparë. Vlera e tij vlerësohet në të paktën 55.000 euro.
Bëhet fjalë për një BMW X6 me targa sllovene LJ 97-IVJ. Sipas kompanisë, personi që e kishte marrë automjetin me qira më vonë kishte deklaruar se ishte grabitur dhe se makina i ishte marrë nga persona të panjohur.
Rasti po hetohet nga autoritetet policore në Koper të Sllovenisë. Dyshimet se automjeti mund të ndodhet në Maqedoninë e Veriut lidhen me faktin se personi që e kishte marrë me qira, sipas kompanisë, është edhe shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim se automjeti ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Kompania paralajmëron se targat mund të jenë hequr ose zëvendësuar dhe ofron shpërblim të konsiderueshëm financiar për informacione që do të ndihmonin në gjetjen e tij.
