Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës lidhur me kredinë hungareze, duke deklaruar se gjashtë muaj pas pretendimeve për skandale dhe keqpërdorime, nuk është dëshmuar asnjë element i kriminalitetit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën parlamentare, Mickoski kritikoi kreun e LSDM-së, Venko Filipçe, për atë që e cilësoi si përpjekje për të lidhur zhvillimet politike në Serbi me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Nuk do t’i komentoj konferencat për shtyp të LSDM-së, të cilat përpiqen të na lidhin me zhvillimet politike në Serbi. Koha do të tregojë se ato janë vetëm gënjeshtra dhe konstruksione politike. Nëse më kërkoni një këshillë, mendoj se opozita po ndjek një rrugë të gabuar,” deklaroi Mickoski.
Kryeministri rikujtoi se edhe gjashtë muaj më parë opozita kishte paralajmëruar, sipas tij, “skandale të mëdha” lidhur me kredinë e siguruar nga Hungaria, por tha se këto pretendime nuk janë vërtetuar.
“Para gjashtë muajsh thoshit se do të zbuloheshin krime të mëdha lidhur me kredinë hungareze. Sot, pas gjashtë muajsh, është vërtetuar vetëm një gjë – se kemi siguruar një kredi të favorshme financiare nga Hungaria dhe se ajo është përdorur në mënyrë të duhur,” u shpreh ai.
Mickoski theksoi se raporti i publikuar nga Enti Shtetëror i Revizionit konfirmon se fondet nga kredia janë përdorur për të mbështetur ekonominë e vendit, për kthimin e euroobligacionit të marrë nga qeveria e kaluar dhe për mbështetjen e sektorit privat.
“Sot Enti Shtetëror i Revizionit konfirmon se mjetet nga kredia hungareze janë destinuar për rritjen e ekonomisë maqedonase, për shlyerjen e euroobligacionit të marrë nga qeveria e kaluar dhe për mbështetjen e ekonomisë vendase,” tha Mickoski.
Në fund, kryeministri u shpreh se raporti i revizionit rrëzon akuzat e opozitës.
“Pas gjashtë muajsh nuk ka as ‘K’ nga kriminaliteti. Përkundrazi, ka një konfirmim se kjo qeveri ka bërë një veprim të mirë për shtetin dhe ekonominë,” përfundoi Mickoski, raporton Tetovasot.
