Minçev nga Prishtina: Po i japim fund mosfunksionimit të administratës me profesionalizëm, rregulla të qarta dhe përgjegjësi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev, ka deklaruar se reformat në administratën publike synojnë t’i japin fund mosfunksionimit institucional dhe të ndërtojnë një sistem të bazuar në profesionalizëm, përgjegjësi dhe rezultate konkrete për qytetarët.

Duke folur në panelin ministror të konferencës ndërkombëtare “Kosovo PAR 2026”, Minçev theksoi se administrata publike duhet të jetë motori funksional i shtetit dhe jo një pengesë burokratike për qytetarët.

“Me reformat në Ligjin për nëpunësit administrativë dhe Ligjin për të punësuarit në sektorin publik po ndërtojmë një sistem ku profesionalizmi, kompetenca dhe përgjegjësia do të jenë kriteret kryesore të vlerësimit. Ata që punojnë me cilësi dhe japin rezultate duhet të shpërblehen, ndërsa ata që nuk përmbushin detyrat duhet të mbajnë përgjegjësi,” deklaroi Minçev, raporton Tetovasot.

Sipas tij, nuk mund të ketë institucione efikase pa kritere të qarta dhe pa një sistem ku çdo nëpunës e di se puna e tij do të vlerësohet në bazë të rezultateve.

Ministri nënvizoi se profesionalizimi i pozitave drejtuese dhe organizimi më funksional i institucioneve janë ndër prioritetet kryesore të reformës. Ai kujtoi se nga 1 tetori 2026 ka nisur zbatimi i kornizës ligjore për drejtuesit e lartë administrativë, ndërsa po përgatitet edhe ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore.

“Shteti nuk guxon të humbasë energji për shkak të mbivendosjes së kompetencave dhe përgjegjësive të paqarta. Çdo institucion duhet ta ketë rolin e tij të përcaktuar saktësisht dhe çdo përgjegjësi duhet të ketë bartës konkret. Vetëm kështu ndërtojmë institucione që punojnë në interes të qytetarëve,” tha ai.

Një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë, sipas Minçevit, është edhe Akademia për Trajnimin Profesional të Nëpunësve Administrativë, e cila pritet të fillojë punën në janar të vitit 2027. Akademia do të ofrojë trajnime të vazhdueshme, zhvillim të aftësive profesionale dhe kompetencave drejtuese, me synim krijimin e një administrate moderne dhe efikase.

Në fund, Minçev vlerësoi se pjesëmarrja në konferencën “Kosovo PAR 2026” konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave në procesin e reformimit të administratës publike.

“Suksesi i reformave nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara, por me ndryshimet që qytetarët i ndjejnë në kontaktin e tyre të përditshëm me institucionet. Profesionalizmi, rregullat e qarta dhe rezultatet konkrete janë baza për rikthimin e besimit të qytetarëve në administratë,” përfundoi ministri, raporton Tetovasot.

artikuj të ndërlidhura