Dibër, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, së bashku me përfaqësues të pushtetit qendror, ministra, zëvendësministra dhe deputetë, ka qëndruar sot në Dibër, ku ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës, Fisnik Mela. Në fokus të takimit ishin projektet aktuale, investimet infrastrukturore dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të Dibrës.
Përmes një njoftimi, Mexhiti bëri të ditur se vizita ka nisur me takimin me kryetarin Fisnik Mela, ku janë diskutuar nevojat e komunës dhe projektet që kërkojnë mbështetje për realizimin e tyre.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua infrastrukturës në qytet dhe në vendbanimet rurale, zhvillimit të turizmit dhe blegtorisë, potencialit ekonomik të Liqenit të Dibrës, si dhe mundësive për përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të komunës.
Mexhiti theksoi se nevojat e komunave kërkojnë angazhim edhe nga institucionet e pushtetit qendror, duke nënvizuar se qëllimi i vizitës është evidentimi nga afër i projekteve që po realizohen, pengesave me të cilat përballen dhe hapave që duhet të ndërmerren për avancimin e tyre.
Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për kryetarin e Komunës së Dibrës dhe qytetarët, duke theksuar se investimet duhet të orientohen drejt përmirësimit të jetës së përditshme dhe krijimit të mundësive të reja për punësim.
“Fisniku dhe qytetarët e Dibrës e kanë mbështetjen tonë për investimet që përmirësojnë jetën e përditshme dhe krijojnë mundësi të reja pune”, ka deklaruar Mexhiti.
