Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit, në bashkëpunim me FOSTER Academy, ka nisur realizimin e Akademisë për Avancim Profesional në Arsim (AAPA), me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të psikologëve dhe pedagogëve shkollorë. Kjo iniciativë vjen si vazhdimësi e aktiviteteve të ndërmarra pas takimit të përbashkët me temë “Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve” dhe përfshin gjithashtu komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Vrapçishtit.
Në kuadër të Akademisë janë realizuar dy ligjëratat e para nga Qufli Osmani, të përqendruara në vlerësimin psikopedagogjik, kompetencat komunikuese dhe klimën organizative në shkolla. Përmes këtyre trajnimeve synohet avancimi i praktikave profesionale, fuqizimi i rolit të shërbimeve profesionale shkollore dhe krijimi i një mjedisi arsimor më të sigurt dhe më mbështetës për nxënësit.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes së iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin profesional të kuadrit arsimor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në shkollat fillore.
