Prishtinë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për prioritetet buxhetore, duke bërë të ditur se në buxhetin e planifikuar janë paraparë mbi 1 miliard euro për investime kapitale, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se ky do të jetë buxheti i investimeve madhore kapitale, ku përfshihen projekte të reja infrastrukturore, ndërtimi i digave, investimet në mbrojtjen e ambientit dhe kompletimi i infrastrukturës sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
“Ky buxhet do të jetë buxheti i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliard euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë: unaza e jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autostrada e Dukagjinit dhe shumë rrugë të tjera rajonale e nacionale që parashihen të zgjerohen e të rehabilitohen”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe investimet që janë planifikuar në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se Qeveria ka përgjysmuar buxhetin për shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa mjetet e kursyera janë orientuar për barna esenciale në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
“Te kategoritë e mallrave dhe shërbimeve, kemi përgjysmuar buxhetin për shpenzime të udhëtimeve jashtë vendit. Dhe paratë e kursyera i kemi ndarë si buxhet për barna esenciale në shërbimin spitalor dhe klinik universitar të Kosovës. Përveç buxhetit të shtuar për barna, kemi rritur edhe personelin mjekësor për 120 sosh në ShSKUK, kurse në nivelin lokal janë paraparë investime sikur më parë në ndërtimin e qendrave të mjekësisë familjare moderne”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka bërë të ditur se janë ndarë mjete edhe për pajisje dhe aparatura të avancuara mjekësore, me mbështetjen financiare të institucioneve ndërkombëtare financiare.
“E për t’i funksionalizuar sa më mirë institucionet shëndetësore, kemi ndarë buxhet edhe për blerjen e pajisjeve dhe aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, projekt ky i cili mbështetet financiarisht nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës”, ka deklaruar ai.
Në fjalën e tij, Kurti ka përmendur edhe investimet në sektorin e ujërave dhe mbrojtjen e ambientit, duke theksuar se buxheti parasheh ndërtimin e digave për ruajtjen e ujit, si dhe masa për menaxhimin e mbeturinave.
“Kemi buxhetuar edhe ndërtimin e digave aq të nevojshme për ruajtjen e ujit, por edhe ndërhyrjen me masa mbrojtëse për ambientin, përfshirë sistemin e ri të grumbullimit dhe sortimit të mbeturinave. E sigurisht që me këtë buxhet kemi paraparë edhe linjën e veçantë për kompletimin e infrastrukturës sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, ka theksuar Kurti.
