Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Komuna e Dibrës së shpejti do të nisë procesin e modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve komunale. Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt administratës moderne dhe më efikase, ndërsa ekziston mundësia që Dibra të jetë ndër komunat e para që do ta realizojnë këtë iniciativë. Me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Komuna e Dibrës po avancon drejt digjitalizimit të shërbimeve përmes vendosjes së një e-kiosku, i cili do t’u mundësojë qytetarëve kryerjen e shërbimeve të ndryshme në mënyrë elektronike, raporton Koha, transmeton Zhurnal.
Nga Kabineti i kryetarit të Komunës, Fisnik Mela, bëjnë të ditur se përmes këtij sistemi elektronik qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë pagesat e tatimeve komunale, të paguajnë faturat e ujit, të nxjerrin dhe të printojnë dokumente të ndryshme, si dhe të përfitojnë shërbime komunale në mënyrë më të shpejtë dhe më të thjeshtë.
Sipas të njëjtit burim, projekti synon të reduktojë pritjet dhe procedurat administrative, duke u kursyer qytetarëve kohë dhe duke e bërë administratën komunale më efikase dhe më të qasshme. Vendosja e e-kioskut pritet t’ua lehtësojë qytetarëve realizimin e shumë shërbimeve, pa pasur nevojë të presin gjatë apo të përballen me procedura të ndërlikuara. Në Dibër, ky projekt vlerësohet si një hap drejt së ardhmes digjitale dhe si një mundësi për të përmirësuar komunikimin dhe shërbimet që administrata komunale u ofron qytetarëve.
