Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Sot në lagjen Podstanicë të Komunës së Kisella Vodës u inaugurua objekti i ri “Yllkat”, çerdhja e parë e fëmijëve në këtë vendbanim. Në ngjarje morën pjesë kryetarja e komunës, Beti Stamenkoska Trajkoska, dhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, të cilët shënuan fillimin e punës së kësaj qendre.
Kapaciteti fillestar i çerdhes “Yllkat” është paraparë për 40 fëmijë të moshës nga 2 deri në 6 vjeç, me mundësi zgjerimi në të ardhmen. Fëmijët do të sistemohen në dy hapësira edukative të pajisura sipas standardeve më bashkëkohore për edukimin dhe arsimimin parashkollor.
Përmes një granti të Bankës Botërore, të siguruar në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, objekti është pajisur plotësisht me mobilie të reja, materiale didaktike, shtroje dhe pajisje të kompletuara kuzhine. Paralelisht, komuna po punon në rregullimin e oborrit, punime që janë ende në zhvillim.
“Bëhet fjalë për një objekt që u rikonstruktua me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për çka duhet të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kryeministrin prof. dr. Hristijan Mickoski, për ministrinë përkatëse, ministrin Velkovski dhe të gjitha palët e përfshira.
Mirënjohje e veçantë edhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili si paraardhës e nisi këtë projekt, ndërsa ne së bashku e përfunduam. Bëhet fjalë për një objekt me dy hapësira për fëmijë nga dy deri në gjashtë vjeç, me kapacitet fillestar për rreth 40 fëmijë, me mundësi që ky numër të rritet më tej. Kemi edhe një kuzhinë ndihmëse, ndërsa hapësirat janë organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Së bashku bëjmë përpjekje të vazhdueshme për t’u ofruar më të vegjëlve kushte sa më të mira dhe për të përfshirë sa më shumë fëmijë”, deklaroi kryetarja Beti Stamenkoska Trajkoska.
Ministri Gjoko Velkovski theksoi se objekti ishte nisur gjatë mandatit të ish-kryetarit të Kisella Vodës, sot kryetar i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
“Nga një objekt i rrënuar krijuam një hapësirë moderne, të rregulluar dhe funksionale për më të vegjlit, ku ata do të kenë mundësi për një fëmijëri të lumtur, zhvillim të drejtë, lojë dhe shoqërim në një mjedis të sigurt dhe stimulues. Me këtë investim sigurojmë kushte për kujdesin e 40 fëmijëve, me mundësi për zgjerim të mëtejshëm të kapaciteteve.
Më gëzon veçanërisht fakti që angazhimet tona për zgjerimin e kapaciteteve të kujdesit për fëmijët vazhdojnë. Në periudhën e ardhshme presim të hapim edhe çerdhen e re në lagjen Rasadnik, me kapacitet për më shumë se 100 fëmijë.
Qëllimi ynë është i qartë: më shumë vende në çerdhe, kushte më të mira për më të vegjlit dhe mbështetje më e madhe për prindërit dhe familjet”, deklaroi Velkovski.
Hapja e çerdhes në Podstanicë është pjesë e strategjisë më të gjerë të Komunës së Kisella Vodës për zgjerimin e vazhdueshëm të kapaciteteve për kujdesin ndaj fëmijëve. Që nga fillimi i këtij mandati është hapur çerdhja “Ververiçka”, është rinovuar tërësisht objekti “Kokiçe”, ndërsa në fazën përfundimtare është ndërtimi i çerdhes së re në lagjen Rasadnik.
Me këtë dinamikë pune, Komuna e Kisella Vodës është pranë eliminimit të plotë të listave të pritjes për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe.
