Prishtinë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Europian i jep vërejtje Qeverisë së Kosovës për mosbashëpunim me opozitën.
Kjo qasje, siç thuhet në raportin e BE-së për vendin, ka bllokuar edhe reformat kyçe për integrim në BE.
“Pavarësisht shumicës së fortë të koalicionit qeverisës, ai nuk u angazhua në bashkëpunim strategjik me opozitën, duke bllokuar kështu reformat kryesore për integrimin në BE dhe duke pamundësuar arritjen e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në raport.
Raporti thotë se “Kuvendi i ushtroi kompetencat e tij në një mënyrë tejet të kufizuar”, ndërsa përmend paralizën e zgjatur institucionale dhe bllokadat politike që çuan në pezullimin pothuajse të plotë të veprimtarisë parlamentare dhe në shpërndarjen e Kuvendit në nëntor 2025.
“Kuvendi i ri, i zgjedhur dhe i konstituuar më 11 shkurt 2026, i cili qëndroi në funksion për një periudhë të shkurtër, mbeti i brishtë për shkak të mosmarrëveshjeve politike, paqartësive procedurale, përdorimit të gjerë të procedurave të përshpejtuara dhe mungesës së bashkëpunimit”, thuhet në raport.
BE e vlerëson rolin e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e bllokadave dhe në rikthimin e sigurisë juridike dhe ruajtjen e garancive për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.
“Kjo nxori në pah dobësi sistemike dhe respektim të pamjaftueshëm të kërkesave kushtetuese dhe procedurale”, thuhet në raport.
Në Kuvend, raporti thotë se “procesi i hartimit të ligjeve ishte shpesh i paparashikueshëm dhe jo mjaftueshëm gjithëpërfshirës, me konsultime të kufizuara me palët e interesit, integrim të dobët të kontributit të shoqërisë civile dhe integrim jokonsistent të perspektivës gjinore”.
“Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit ishte shumë e kufizuar, ndërsa të drejtat e opozitës u dobësuan nga polarizimi, bojkotet dhe mungesa e dialogut të strukturuar”, thuhet në raport.
Raporti thekson se “diskursi politik në Kuvend mbetet shumë i polarizuar, me raste të retorikës diskriminuese, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste”.
“Kuvendit i mungojnë mekanizmat efektivë disiplinorë për të trajtuar retorikën diskriminuese dhe gjuhën e urrejtjes. Nxitja e një dialogu politik konstruktiv në të gjithë Kuvendin, forcimi i respektimit të rregullave procedurale, përmirësimi i cilësisë së legjislacionit dhe procesit të konsultimit, si dhe fuqizimi i funksioneve mbikëqyrëse janë thelbësore për rikthimin e rolit të Kuvendit në qeverisjen demokratike dhe integrimin në BE”, thuhet ndër tjerash në raport.
