Panik në shkollën e mesme të artit pas aktivizimit të gazit lotsjellës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Një nxënës i vitit të katërt, në drejtimin e dizajnit të pikturës, shkaktoi panik pasi aktivizoi gaz lotsjellës në atelienë ku po mbahej mësimi.

Një nxënës aktivizoi gaz lotsjellës gjatë mësimit në shkollën e mesme të artit. Incidentin e raportoi një prind i shqetësuar, i cili thotë se, edhe pas një jave, institucionet nuk kanë reaguar për këtë ngjarje serioze, megjithëse shëndeti dhe siguria e nxënësve u vunë në rrezik, raportoi „Sitel“.

Gjatë orës së pikturës, nxënësi i vitit të katërt, nga drejtimi i dizajnit të pikturës, aktivizoi gaz lotsjellës në atelienë ku zhvillohej mësimi. Në panik dhe të frikësuar, nxënësit u përpoqën të kërkonin ndihmë nga drejtuesit e shkollës „Lazar Liçenoski“, por i gjetën dyert të mbyllura. Sipas prindërve dhe nxënësve që folën për televizionin, ndihmë u ofroi vetëm kujdestarja e klasës.

Profesori nuk ishte i pranishëm në orë, pasi atë ditë mungonte në punë. Nxënësit kërkuan ndihmë nga kujdestarja e klasës, E. V., e cila u shqetësua për situatën, reagoi siç duhej dhe mori masa për mbrojtjen e të gjithë nxënësve.

Sipas dëshmive, nxënësit donin të jepnin deklaratë te psikologia T. Ç. dhe të kërkonin ndihmë, por nuk arritën të kontaktonin me të, pasi ajo nuk ndodhej në vendin e punës. Ata kërkuan ndihmë edhe nga drejtoresha e shkollës, D. F., por as ajo nuk ishte e pranishme.

Prindërit janë të revoltuar që, edhe një javë pas incidentit, institucionet përgjegjëse arsimore nuk kanë marrë masa. Ata kërkojnë që nxënësi përgjegjës të sanksionohet urgjentisht dhe të përcaktohet përgjegjësia edhe e personave përgjegjës në shkollën „Lazar Liçenoski“.

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit i tha „Sitel“-it se ankesa u pranua dje, tashmë është proceduar dhe se së shpejti do të kryhet një mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese. Sipas Inspektoratit, masat eventuale do të përcaktohen nga inspektori pasi të përfundojë mbikëqyrja.

artikuj të ndërlidhura