Trifunovski: Dënimet për 27 prillin janë drakonike, jam i gatshëm të dëshmoj në një rigjykim

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor Zhurnal.mk – Sekretari organizativ i LSDM-së, Zoran Trifunovski – Zhaba, deklaroi se nuk pajtohet që ngjarjet e 27 prillit të cilësohen si terrorizëm dhe se dënimet ndaj disa prej të dënuarve janë tepër të larta. I ftuar në emisionin “Pretres so Landov”, ai u shpreh në favor të pajtimit dhe vlerësoi se të dënuarit nuk duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në burg.

Trifunovski tregoi se gjatë hyrjes me forcë në Kuvend kishte hyrë për të ndihmuar në nxjerrjen e bashkëpartiakëve të tij, ndërsa ngjarjen e cilësoi si një nga më tragjiket në historinë e kohëve të fundit. Sipas tij, disa nga ish-kolegët e tij në strukturat e sigurisë mund të kenë dështuar në përmbushjen e detyrave profesionale, por, siç tha ai, nuk i meritonin dënimet drakonike.

Ai kërkoi nga pushteti aktual guxim për pajtim, duke iu referuar edhe shembullit të faljeve në SHBA. I pyetur nëse e mbështet një rigjykim, Trifunovski u përgjigj se do të dëshmonte nëse procedura do të përsëritej, por theksoi se për këtë nevojiten prova të reja.

Në fund, ai nënvizoi se qëndrimet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të LSDM-së.

artikuj të ndërlidhura