Janevska: Mbi 75 për qind e reformave të planifikuara në arsim janë realizuar

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Sipas ministres Janevska, janë realizuar më shumë se 75 për qind e aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit për Arsimin. Si ndryshime pozitive në raport veçohen zhvillimi i arsimit profesional, bashkëpunimi me kompanitë, arsimi inkluziv, digjitalizimi dhe forcimi i kornizës ligjore dhe strategjike.

Mbi 70 për qind e nxënësve të shkollave të mesme regjistrohen në shkolla profesionale, ndërsa një e treta e tyre ndjekin paralele duale. Në këtë proces janë përfshirë më shumë se 1.000 kompani, ndërsa në funksion janë tetë qendra rajonale për arsim profesional.

Në arsimin fillor punojnë mbi 1.600 asistentë arsimorë, ndërsa në arsimin e mesëm për herë të parë janë angazhuar rreth 200 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Në fushën e digjitalizimit, më shumë se 700 mësimdhënës kanë ndjekur trajnim për përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor.

Përparim është shënuar edhe në shkencë, ndër të tjera me themelimin e Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi – INOVA. Si prioritete të ardhshme, Janevska përmendi ligjet e reja për arsimin e lartë, veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe cilësinë në arsimin e lartë.

Në një publikim në Facebook, ministrja shprehu kënaqësinë për vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian dhe falënderoi institucionet, universitetet, kompanitë, sektorin civil dhe aktorët e tjerë shoqërorë për mbështetjen.

“Para dy vitesh premtova se do ta ndalim rënien e lirë të arsimit dhe shkencës dhe se do t’i përmirësojmë ndjeshëm kushtet. Këtë e bëmë, tani tashmë po ecim përpara”, shkroi Janevska.

artikuj të ndërlidhura