Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar raportin e punës me rastin e njëvjetorit të mandatit të tij të dytë, duke veçuar investimet infrastrukturore, përmirësimin e shërbimeve komunale dhe stabilizimin financiar të komunës.
“Me kënaqësi sot para gazetarëve dhe qytetarëve paraqita punën për njëvjetorin e mandatit të dytë”, deklaroi Kasami, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhjetëra projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë realizuar 43 projekte infrastrukturore, që përfshijnë mbi 34 kilometra gjatësi ose 193.322 metra katrorë sipërfaqe, me vlerë totale prej 646.751.431 denarësh.
Kasami bëri të ditur se janë investuar edhe 195.839.942 denarë në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atij atmosferik, ndërsa brenda një viti janë krijuar më shumë se 400 vendparkime të reja.
Në raportin e tij, kryetari i Tetovës veçoi edhe transportin publik urban, duke theksuar se afër 500 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë shërbim gjatë vitit të kaluar.
“Ulëm borxhin e Komunës ndaj përmbaruesve, rritëm pagat e zjarrfikësve me 30 për qind dhe rritëm pagat e të punësuarve në Komunë me 7 për qind për tri vite radhazi”, u shpreh Kasami.
Ai nënvizoi se komuna ka avancuar edhe në procesin e digjitalizimit të shërbimeve, përmes krijimit të aplikacionit “TE KLIK”, i cili numëron mbi 12 mijë përdorues.
Ndërkohë, sipas Kasamit, janë rregulluar parqet e qytetit pranë Xhamisë së Larme dhe afër Shkollës së Mesme Bujqësore, janë rikthyer në menaxhim të komunës tokat e uzurpuara, ndërsa po vazhdojnë investimet në infrastrukturën sportive, përfshirë ndërtimin e stadiumeve dhe dy pishinave.
“Këto dhe shumë punë të tjera i realizuam, ndërsa edhe shumë punë të tjera na presin”, theksoi Kasami.
