Pas masakrës në Krakow ku mbetën 6 të vdekur, u gjetën edhe 3 trupa të tjerë në shtëpinë e të dyshuarit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Policia polake vijon hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit të përgjakshëm me armë zjarri në qytetin e Krakovit, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Kreu i Policisë së Polonisë, Marek Boroń, bëri të ditur se mes të plagosurve janë edhe dy efektivë policie, pesë shtetas të huaj dhe vetë autori i dyshuar i sulmit.

Ngjarja ndodhi të shtunën, kur një person i armatosur hapi zjarr ndaj njerëzve në një zonë të frekuentuar të qytetit.

Disa orë pas sulmit, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se në banesën e të dyshuarit ishin gjetur edhe tre trupa të tjerë. Sipas tij, ekzistonin “indikacione të forta” se viktimat ishin pjesëtarë të familjes së autorit të dyshuar.

Autoritetet polake konfirmuan më pas se bëhej fjalë për babanë 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 21-vjeçare të të dyshuarit.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Polonisë deklaroi se autori i dyshuar është një shtetas polak 25-vjeçar, i cili dyshohet se ishte i frymëzuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Policia bëri gjithashtu të ditur se gjatë sulmit ai përdori armë të cilësuara si “armë ushtarake”.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet e plota të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në këtë sulm, i cili tronditi qytetin e Krakovit dhe gjithë Poloninë.

artikuj të ndërlidhura