Shkup, 8 nëntor Zhurnal.mk – „Nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë përgjegjësi“ ishte një nga mesazhet e marshit të sotëm „Asnjë më shumë!“ në Shkup. Shkak për organizimin e marshit ishte vdekja e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanci. Më 30 shtator, ajo kishte denoncuar një sulm fizik, ndërsa më 16 tetor gjykata kishte shqiptuar një masë të përkohshme mbrojtëse.
Më 3 nëntor, Biljana u gjet e vdekur.
Gjatë marshit u fol për shtatë raste të femicidit të regjistruara këtë vit. Pjesëmarrësit kërkuan të hetohet mënyra se si kanë vepruar institucionet në rastin e Biljanës, si dhe të miratohen ndryshime ligjore për mbrojtje më efikase të viktimave.
Në muajin mars, Kuvendi hodhi poshtë propozimin për vendosjen e mbikëqyrjes elektronike ndaj autorëve të dhunës në familje. Ndërsa në tetor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës zëvendësoi programin gjimnazial për edukimin seksual gjithëpërfshirës me programin „Shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit“.
Programi i ri përfshin tema si pëlqimi dhe dhuna seksuale, por nga ai janë hequr konceptet „barazia gjinore“ dhe „dhuna me bazë gjinore“.
