KOMENT I REDAKSISË ZHURNAL: Venera Azizi, zëdhënëse e Qeverisë apo protagoniste e videove promovuese në terren?

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 09 nëntor, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, duket se ka gjetur një mënyrë të veçantë për ta interpretuar rolin e saj institucional. Në vend që të jetë kryesisht ura e komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe qytetarëve, ajo po shfaqet gjithnjë e më shumë në videot promovuese të projekteve që janë në fazën e realizimit.

Publikimi i fundit i saj nga kantieri i ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ka nxitur reagime dhe pyetje nga qytetarët. Azizi, gjatë rrugës për në punë, ka vendosur të ndalet pranë objektit për të parë nga afër punimet, për t’i filmuar ato dhe për t’u treguar qytetarëve se deri ku ka arritur ndërtimi.

Sigurisht, ndërtimi i kampusit universitar është një projekt me rëndësi për Shkupin dhe për studentët shqiptarë. Por kjo nuk e shmang pyetjen kryesore: a është monitorimi i kantiereve pjesë e përgjegjësive të një zëdhënëseje të Qeverisë?

Nëse Venera Azizi dëshiron të informojë publikun për ecurinë e punimeve, atëherë pse nuk e lë këtë përgjegjësi te institucionet dhe zyrtarët që kanë kompetencë të drejtpërdrejtë për projektin. Zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe te kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti?

Për çështjet që lidhen me infrastrukturën dhe realizimin e projekteve, ekzistojnë institucione përgjegjëse, si dhe funksionarë që duhet të japin llogari për afatet, dinamikën e punimeve, shpenzimet dhe realizimin e investimeve. Në këtë kontekst, pyetjet e opinionit drejtohen edhe te zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe te kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Ndërkaq, nga zëdhënësja e Qeverisë qytetarët presin diçka tjetër: informacione për vendimet e Qeverisë, mbledhjet qeveritare, politikat e reja, marrëveshjet, përgjegjësitë institucionale dhe çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre.

A kemi dëgjuar nga Venera Azizi të njëjtin angazhim për të sqaruar vendimet e vështira të Qeverisë, për të dhënë përgjigje për çështjet e hapura apo për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet? Apo komunikimi i saj po përqendrohet kryesisht në videot ku prezantohen projekte që tashmë janë duke u realizuar?

Sepse një zëdhënëse qeveritare nuk është caktuar për të luajtur rolin e udhërrëfyeses turistike nëpër kantieret e ndërtimit, as për të bërë transmetime personale nga çdo projekt që realizon pushteti. Ajo është aty për të informuar publikun, për të sqaruar politikat qeveritare dhe për t’u përgjigjur për çështjet që kërkojnë transparencë.

Madje, një video nga një kantier ndërtimi nuk mund ta zëvendësojë informacionin e plotë institucional. Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm të shohin bagerët dhe katet që ngrihen. Ata duan të dinë sa kushton projekti, kush e mbikëqyr, a po respektohen afatet, kur do të përfundojë dhe kush mban përgjegjësi në rast të vonesave.

Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, jo vetëm pamje promovuese.

Venera Azizi duhet ta kuptojë se pozita e zëdhënëses së Qeverisë nuk është platformë për promovim personal dhe as hapësirë për të zhvilluar politikë ditore përmes videove nga terreni. Roli i saj kërkon profesionalizëm, paanshmëri institucionale, komunikim të vazhdueshëm dhe, mbi të gjitha, transparencë.

Nëse çdo projekt qeveritar duhet të prezantohet përmes videove personale të zëdhënëses, atëherë lind pyetja se çfarë roli u mbetet ministrive, zëvendësministrave, drejtorëve dhe institucioneve që janë drejtpërdrejt përgjegjëse për realizimin e tyre.

Qeveria ka nevojë për një zëdhënëse që flet për punën e saj, jo për një protagoniste që shfaqet në çdo kantier për të treguar se punimet po vazhdojnë.

Dhe në fund, qytetarët nuk e vlerësojnë punën e një zëdhënëseje nga numri i videove që publikon, por nga cilësia e informacionit që përcjell, transparenca që ofron dhe përgjigjet që jep për çështjet me interes publik.

Ky është roli që duhet të përmbushë Venera Azizi.

artikuj të ndërlidhura