Shkup, 9 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, duke komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE) për vendin, thotë se konstatimi se parlamenti vetëm pjesërisht i përmbush me efikasitet kompetencat e tij varet nga këndvështrimi dhe metodologjia e përdorur. Sipas tij, nëse vlerësohet përqindja dhe efikasiteti i ligjeve të miratuara, përbërja aktuale parlamentare është ndër më efikaset dhe më funksionalet.
Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, Gashi foli edhe për vërejtjen e Komisionit Evropian se Kuvendi ende nuk ka miratuar një kalendar vjetor të punës. Ai theksoi se, në praktikë, tashmë ekziston një nivel i lartë i parashikueshmërisë, përmes dinamikës së koordinimeve dhe seancave që mbahen disa herë gjatë javës.
“Normalisht, po të ishte e lehtë, do të ishte bërë gjatë 35 viteve të fundit. Duhet të vendoset një sistem i parashikueshmërisë, edhe pse ne tashmë kemi arritur një nivel maksimal në këtë drejtim. Përafërsisht, të gjithë deputetët e dinë se të hënën kemi koordinim, të martën mbahen seancat, të mërkurën vazhdon seanca, ndërsa lihet hapësirë edhe për të enjten. Kështu që, çdo javë mbahen së paku tri deri në pesë seanca dhe ekziston parashikueshmëria. Mbetet vetëm që këtë ta kanalizojmë dhe ta vendosim si praktikë”, tha Gashi.
I pyetur nëse shërbimet parlamentare kanë kapacitet për të përgatitur një kalendar të tillë vjetor, kryeparlamentari u përgjigj se kapacitetet ekzistojnë, por se planifikimi duhet të bëhet në varësi të vëllimit të ligjeve që paraqiten në Kuvend.
“Absolutisht që ka kapacitet. Gjithçka varet nga numri i ligjeve që vijnë në Kuvend dhe, në bazë të tyre, duhet të planifikohen aktivitetet. Ne po punojmë intensivisht për këtë tashmë dy vjet e gjysmë. Shpresoj që gjatë vitit 2027 ta zgjidhim këtë çështje dhe që në raportin e ardhshëm kjo vërejtje të mos jetë më”, deklaroi Gashi.
Duke komentuar kritikën e Brukselit për përdorimin e shpeshtë të procedurës së shkurtuar ligjvënëse, veçanërisht në rastet kur iniciativat paraqiten nga deputetët, Gashi tha se edhe vetë ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen për këtë çështje gjatë proceseve institucionale.
I pyetur nëse pas këtyre iniciativave të deputetëve në të vërtetë mund të fshihen propozime të Qeverisë, të cilat në këtë mënyrë kalojnë më shpejt dhe më lehtë, Gashi nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
“Është e mundur, mund të thuhet edhe kështu, por ne nuk mund ta vërtetojmë. Unë, si kryetar i Kuvendit, së bashku me kabinetin dhe shërbimet parlamentare, në arkivë shohim se kush figuron si propozues. Nëse propozues është Qeveria, veprojmë në përputhje me këtë, ndërsa nëse janë deputetët, nuk mund të paragjykojmë. Mund të supozojmë, por nuk mund të pohojmë diçka të tillë. Prandaj, i pranojmë propozimet ashtu siç paraqiten”, tha Gashi.
Ai u pajtua se kritika për përdorimin e shpeshtë të kësaj procedure është e bazuar, duke theksuar se edhe vetë e ka ngritur vazhdimisht këtë shqetësim.
“Po, qëndron, është e saktë dhe unë kam tërhequr vëmendjen vazhdimisht për këtë. Jo vetëm në koordinime apo përmes përfaqësuesit të Qeverisë që merr pjesë në to, por edhe nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancave, kur opozita ka paraqitur vërejtje procedurale. Edhe atëherë kam konfirmuar se kjo është e saktë dhe se nuk duhet të veprohet në këtë mënyrë. Duhet të angazhohemi që pjesa më e madhe e ligjeve të miratohen me procedurë të rregullt”, theksoi ai.
Megjithatë, Gashi sqaroi se secili deputet ka të drejtë të vendosë se në çfarë mënyre do ta paraqesë një propozim ligjor dhe se Kuvendi nuk ka kompetencë ta ndryshojë procedurën e përcaktuar nga propozuesi.
“Çdo deputet vendos vetë se me çfarë metodologjie dhe në çfarë mënyre do ta propozojë ligjin. Përcaktimi i procedurës mbetet e drejtë e propozuesit. Ne, si Kuvend, nuk mund ta ndryshojmë atë. Kur e pranoj një ligj, e shoh se në vetë iniciativën është përcaktuar edhe procedura dhe ne jemi të obliguar ta pranojmë ashtu siç është”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
Në përgjithësi, Gashi vlerëson se raporti i fundit i Komisionit Evropian përmban më shumë vlerësime pozitive për Kuvendin sesa çdo raport i mëparshëm.
