Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, shprehu sot ngushëllimet për viktimat dhe të plagosurit nga shpërthimi i ndodhur në një fabrikë çeliku në provincën e Izmirit, në Turqi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha u ka shprehur ngushëllimet familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre, ndërsa theksoi se Shqipëria qendron në solidaritet me Turqinë.
“Thellësisht të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe lëndimet e shumta të shkaktuara nga shpërthimi në fabrikën e çelikut në provincën e Izmirit. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe mendimet tona janë me të gjithë të lënduarit e prekur nga ky aksident tragjik. Shqipëria qëndron në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Turqisë në këtë moment të vështirë”, shkruan Hoxha.
Sipas medieve nga shpërthimi kanë humbur jetën 17 persona, ndërsa 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Shpërthimi ndodhi të hënën në uzinën Habas Demir Celik, në zonën e Aliagas, pranë qytetit portual të Izmirit, ku të gjithë viktimat dhe të plagosurit ishin punonjës të fabrikës.

