Pas 30 vitesh Kod i ri Penal: Maqedonia përgatit ndryshime të mëdha në legjislacionin penal

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar Komisionit Evropian për mendim Projekt-Kodin Penal dhe Projekt-Ligjin për Procedurë Penale, duke vazhduar procesin e reformës gjithëpërfshirëse të legjislacionit penal dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane.

“Kodi i ri Penal po përgatitet pas tre dekadash dhe së bashku me Ligjin e ri për Procedurë Penale duhet të sigurojë luftë më efikase kundër krimit dhe korrupsionit, procedura gjyqësore më të drejta, mbrojtje më të mirë të viktimave dhe siguri më të madhe juridike për qytetarët.

Thelbi i reformës nuk është vetëm miratimi i ligjeve të reja, por edhe zbatimi i tyre dhe rezultatet që qytetarët duhet t’i ndjejnë. Qëllimi është të krijohet një kornizë ligjore që do të mundësojë hetime efikase, procedura gjyqësore të drejta, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime.

Përgatitja e Kodit të ri Penal ka filluar në vitin 2019, ndërsa grupi i punës i udhëhequr nga akademiku Vlado Kambovski, në periudhën 2020-2026, zhvilloi konsultime të gjera me përfaqësues të gjyqësorit, komunitetit akademik, institucioneve kompetente dhe organizatave civile.

Në tekstin e propozuar janë integruar 33 direktiva relevante të Bashkimit Evropian, ndërsa gjatë konsultimeve janë shqyrtuar më shumë se 50 mendime dhe propozime.

Paralelisht është punuar edhe për Ligjin e ri për Procedurë Penale. Grupi ekspert i punës i udhëhequr nga prof. dr. Gordana Lazhetiq, i përbërë nga 25 anëtarë, e përfundoi përgatitjen e tekstit në tetor të vitit 2026. Propozimi parashikon harmonizim me 25 direktiva dhe standarde relevante evropiane.

Ndër zgjidhjet kyçe janë avancimi i konfiskimit, hetimeve financiare, provave elektronike, masave të posaçme hetimore, mbrojtjes së viktimave, si dhe mundësitë për mbajtjen e seancave dhe administrimin e provave nga distanca.

Në përgatitjen e të dy teksteve ligjore mbështetje të rëndësishme kanë ofruar partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Misioni i OSBE-së në Shkup.

Me dorëzimin e propozimeve në Komisionin Evropian, Ministria e Drejtësisë vazhdon me përmbushjen e detyrimeve nga Agjenda Reformuese dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me të drejtën evropiane.

Reforma e legjislacionit penal duhet të sjellë ndryshime konkrete në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Vlera e saj e vërtetë do të dëshmohet përmes hetimeve më efikase, procedurave gjyqësore më të drejta, mbrojtjes më të fortë të të drejtave dhe sigurisë më të madhe juridike për çdo qytetar”, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura